Rama takon Tsipras në Bruksel: Cila është rruga për t’u larguar nga retorikat konfliktuale

Shqipëria

Rama takon Tsipras në Bruksel: Cila është rruga për t’u larguar nga retorikat konfliktuale

Më: 25 maj 2017 Në ora: 16:42
Edi Rama pati një takim me homologun grek Alexis Tsipras

Në kuadër të Samitit të NATO-s në Bruksel, kryeministri Edi Rama pati një takim me homologun grek Alexis Tsipras. Në takim morën pjesë dhe dy ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias. Dy kryeministrat nënvizuan natyrën dhe rëndësinë strategjike të marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe rolin e miqësisë mes të dy popujve si urë paqeje e stabiliteti ne mbarëvajtjen e integrimit euro-atlantik të rajonit.

Kryeministrat diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën mbështetjen e tyre ndaj iniciativës së dy Ministrave të Jashtëm për një mekanizëm konsultimesh intensive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e trashëguara nga e kaluara si dhe për nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve. Palët nënvizuan rolin e posaçëm të komunitetit shqiptar në Greqi, si dhe vlerësuan hapat e rëndësishme të ndërmarra për integrimin social dhe ekonomik të shqiptarëve në Greqi.

Rama theksoi nevojën e përparimit drejt gjetjes së zgjidhjeve për mosmarrëveshjet ekzistuese midis dy vendeve, në respekt të praktikave më të mira europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare. “Greqia na ka mbështetur dhe dëshirojmë që të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Rama.

Kryeministri Tsipras shprehu mbështetjen e fortë të Greqisë ndaj reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri si dhe rëndësinë që ai i kushton respektimit të të drejtave të pakicës greke në vendin tonë.
Palët ranë dakord se vetëm gjetja e zgjidhjeve konkrete me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të dy popujve do të forcojë mirëbesimin midis dy shteteve dhe do të na largojë nga retorikat konfliktuale e ngërçet e së shkuarës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat