I ‘forti’ nga Tropoja ‘luftë’ me policinë, kurthi i vajzës që shantazhonte

Shqipëria

I ‘forti’ nga Tropoja ‘luftë’ me policinë, kurthi i vajzës që shantazhonte

Më: 31 maj 2017 Në ora: 09:26
Ilustrim

Një 25-vjeçar është arrestuar pasditen e djeshme në Tiranë gjatë një operacioni të Policisë së Shkodrës dhe forcave Operacionale të Policisë së Shtetit.

Megjithatë ai nuk është dorëzuar lehtë, duke “luftuar” deri në momentin e fundit me forcat e rendit. Burime nga Policia e Shtetit thanë se i arrestuari është Taulant Neçaj, nga Tropoja dhe banues në Tiranë.

Ai ishte në hetim prej disa ditësh dhe po mbahej nën vëzhgim me metodat speciale nga Policia e Shkodrës, ku ishte denoncuar për gjobëvënie nga një vajzë.

Operacioni për arrestimin e tij është organizuar pasditen e djeshme, në momentin që ai është pikasur duke lëvizur në afërsi të Zogut të Zi në Tiranë, me një automjet tip “Tuareg”. Në këtë kohë Policia e i ka bërë shenjë që të ndalojë, por 25-vjeçari ka shtuar shpejtësinë duke vijuar rrugën në drejtim të Laprakës.

Policia ka vijuar ndjekjen deri në një moment kur Neçajt, për shkak se po lëvizte me shpejtësi, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me 3 makina të parkuara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Në këtë moment, ai ka zbritur nga makina dhe ka tentuar të largohet me vrap në rrugicat mes pallateve. Forcat Operacionale janë detyruar të qëllojnë në ajër, në mënyrë që ai të bindej për t’u dorëzuar.

Në këto rrethana, 25-vjeçari ka ndaluar dhe është vënë në pranga nga Policia. Në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar vetëm një celular, me të cilin ai komunikonte me vajzën, që i kishte vënë gjobë.

OPERACIONI

Në bazë të kallëzimit që një vajzë kishte bërë disa ditë më parë në Policinë e Shkodrës për gjobëvenie, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kishin regjistruar procedim penal dhe njëkohësisht veprimet për identifikimin e autorit.

Vajza pretendonte se shtetasi Taulant Neçaj, duke përdorur një foto intime të saj, i bënte shantazh dhe i kishte kërkuar një shumë të konsiderueshme parash. Dje kishin rënë dakord që shuma e kërkuar të dorëzohej në Tiranë, ku kishte mbërritur edhe vajza e dëmtuar.

Në këto rrethana, Policia kishte nisur operacionin për arrestimin e të dyshuarit, në momentin kur ai do të merrte paratë. Por duke qenë se nuk kishin ende një imazh të tij për ta identifikuar, numri i tij i celularit ishte vënë në përgjim dhe përmes tij është bërë edhe ndjekja, derisa është konstatuar duke lëvizur me makinën tip “Tuareg”, pasditen e djeshme, kur i iku Policisë.

Burimet thanë se pas rezistencës që ai bëri, në momentin e arrestimit u administrua si provë celulari i tij, me anë të të cilit ishte gjurmuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat