Rama refuzoi debatin televiziv, reagon Basha: Pse ke frikë, nuk të sulmoj fizikisht!

Shqipëria

Rama refuzoi debatin televiziv, reagon Basha: Pse ke frikë, nuk të sulmoj fizikisht!

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 12:16
Kryeministri Edi Rama dhe Lulzim Basha

Një debat televiziv mes kundërshtarëve politikë nuk është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri dhe me polaritetin që karakterizon skenën politike, vështirë të ndodhë një gjë e tillë.

Por edhe pse propozimi për debat i Bashës është refuzuar ditën e djeshme nga Kryeministri Rama, lideri i opozitës ka bërë sërish thirrje nga Pogradeci.

“Mbrëmë e refuzoi debatin me mua. Pse e refuzon? Ka frikë? Unë nuk do ta sulmoj fizikisht. Çfarë frike ka? I dalin të palarat, se bilanc nuk ka, 300 mijë vende pune nuk i hapi, shëndetësinë e la në pikiatë. Nuk do debatin dhe e ka kthyer fushatën në shfaqje, vetëm me çështjet që iu interesojnë njerëzve nuk merret. Ndaj i them të mos ketë frikë, të përballet, thojani edhe ju kur të vijë këtu në Pogradec”,- tha Basha.

Ditën e djeshme Rama e Basha janë intervistuar nga dy televizone kombëtare dhe thirrjes së kryedemokratit, kreu I qeverisë ju përgjigj kështu:

 “Zakonisht politikanët që s’kanë gjë për të humbur kapen pas fijes së barit dhe kërkojnë debat me ata që kanë gjëra shumë  më serioze sesa të bëjnë shfaqe. Unë jam më njerëzit çdo ditë. Një shfaqe ku shkëmbehen muhabete që njerëzit i kanë dëgjuar dhe i kam stërlodhur nuk kam ndërmend ti bëj. Nuk jam në këtë fushatë që të ndihmoj Lulin. Debati është një kërkesë e një politikani që s’ka gjë për të humbur, nuk kam ndërmend ta ndihmoj".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat