Gjykata lejon vazhdimin e ndërtimit të HEC-ve në Valbonë

Shqipëria

Gjykata lejon vazhdimin e ndërtimit të HEC-ve në Valbonë

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 21:32
HEC në Valbonë

Gjykata Administrative në Tiranë rrëzoi sot kërkesën e 27 banorëve të Luginës së Valbonës dhe Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Shoqata Toka) për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-t në Valbonë.

Rrëzimi i kërkesës i hap rrugë vazhdimit të punimeve, të nisura rreth një vit më parë nga dy kompani koncensionare, të cilat kanë marrë miratimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit vendosi shqyrtimin në themel të çështjes, duke nisur nga seanca e ardhshme, e cila u caktua nga gjykata për datën 14 qershor.

Vendimi i gjykatës i ka lënë të pakënaqur banorët e Luginës së Valbonës. Përfaqësuesi i tyre ligjor në këtë proces deklaroi në përfundim të seancës gjyqësore se vendimi do të ankimohet në Gjykatën Administrative të Apelit.

Muajin e kaluar, 27 banorë të Luginës së Valbonës, që i përkasin fshatrave Rragam, Valbonë, Dragobi dhe Çerem, të mbështetur nga Shoqata për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Shoqata “Toka”) dorëzuan në Gjykatën Administrative të Tiranës padinë për kundërshtimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës. Pas kesaj, gjykata vendosi pezullimin e përkohëshëm të punimeve.

Kërkesa në Gjykatën Administrative ishte hapi më i fundit i banorëve të Luginës së Valbonës, në përpjekjen thuajse dy vjeçare për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar.

Përmes kësaj padie, banoret kërkuan që gjykata të deklarojë pavlefshmërinë absolute të kontratës koncensionare si dhe të lejeve të ndërtimit, lejeve mjedisore si dhe lejeve për përdorimin e rezervave ujore. Dy kompanitë koncensionare kanë nisur përpjekjet për marrjen e koncensioneve për ndërtimin e Hec-ve në Luginën e Valbonës që para vitit 2000. Si gjatë qeverisë Berisha, ashtu edhe qeverisë Rama, ato kanë arritur të marrin gjithë lejet e nevojshme për ndërtimin e hidrocentrale në brendësi të Parkut Kombëtar të Valbonës, megjithëse ligji e ndalon një gjë të tillë.

Sipas banorëve të Valbonës dhe Shoqatës “Toka” jane konstatuar një numër shkeljesh proceduriale dhe materiale nga Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe Këshilli i Basenit Ujor “Drin-Buna”.

Në fillim të këtij viti, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë refuzoi kërkesën e Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare për dhënien e kopjes së kontratës koncensionare të lidhur me Shoqërinë “Gener 2” shpk si dhe dosjen e plotë me dokumentacionin e Shoqërisë “TPLAN” shpk, shoqëri këto që po ndërtojnë hidrocentrale në Luginën e Valbonës.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit e ka quajtur refuzimin për dhënien e këtij dokumentacioni si shkelje të ligjit për të drejtën e informimit dhe ka urdhëruar Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë për të vënë në dispozicion të Shoqatës dokumentacionin e kërkuar prej saj, gje qe nuk eshte zbatuar deri tani.

Me moton “Mos ma prek Valbonën”, prej gati dy vitesh, banorët vendas dhe shoqata “Toka”, të përkrahur nga WWF dhe organizata të tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare të mjedisit dhe shoqërisë civile, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndaluar këtë projekt, që krijon sipas tyre një seri dëmesh të pariparueshme, si në mjedisin natyror të Luginës së Valbonës, ashtu edhe në mirëqenien dhe jetën e komunitetit që jeton përgjatë Luginës së Valbonës.

Që nga viti 2000, qeveria shqiptare ka dhënë me koncesion një numër të madh lejesh për ndërtimin e hiodrocentraleve në shtretërit e lumejve të egër të vendit dhe në brendësi të zonave të mbrojtura natyrore, gjë që eshtë shoqëruar me reagime në rritje nga ana e komuniteve lokale dhe shoqatave mjedisore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat