Skandal – “BOOM”: Në Gjykatën Administrative në Tiranë zhduken dosjet

Shqipëria

Skandal – “BOOM”: Në Gjykatën Administrative në Tiranë zhduken dosjet

Më: 5 qershor 2017 Në ora: 20:21
Në xhirimet e kamerave të fshehta të “BOOM”, shfaqet kryesekretarja e kësaj gjykate, e cila në takimin me denoncuesin dhe avokatin e tij, pranon humbjen e dosjes dhe i kërkon atyre që ti sjellin të gjitha dokumentat edhe një herë, për ta krijuar dosjen nga e para.

Emisioni investigativ ‘BOOM’ në Ora News ka denoncuar skandalin e zhdukjes së dosjeve në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Drejtues të këtij institucioni shfaqen në kamerat e ‘BOOM’ në krye të një proçesi ku ribëhen dosjet nga e para pas një viti nga vendimi, duke shkelur çdo afat, me ndihmën e avokatëve të palëve paditëse. Për ti dërguar këto dosje në Gjykatën Administrative të Apelit një vit jashtë afatit, kërkohet vendim pranim ankimi nga kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, ose gjyqtari, ç`ka e zgjeron edhe më tepër rrezen e këtij skandali.

Emisioni “BOOM” përmes një hulumtimi disa mujor ka zbuluar skandalin e zhdukjes së dosjeve në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Denoncuesi, një i larguar nga puna në administratën publike, thotë se ka një vit që për shkak të humbjes së dosjes së tij, çështja nuk i transferohet në Gjykatën Administrative të Apelit, për vazhdimin e gjykimit.

Në xhirimet e kamerave të fshehta të “BOOM”, shfaqet kryesekretarja e kësaj gjykate, e cila në takimin me denoncuesin dhe avokatin e tij, pranon humbjen e dosjes dhe i kërkon atyre që ti sjellin të gjitha dokumentat edhe një herë, për ta krijuar dosjen nga e para.

Biseda zhvillohet në fshehtësi në korridoret e Gjykatës, ku për të mbuluar humbjen e dosjes Kryesekretarja është e gatshme të pranojë edhe dokumenta të fotokopjuara, të panoterizuara, mjafton që të sajojë një dosje të re.

Një muaj pas këtij regjistrimi, gazetarët e “BOOM” shkuan në Gjykatën Administrative të Apelit, ku mësuan se dosja ende nuk ishte transferuar.

Që këto dosje të pranohen me një vit vonesë në Gjykatën Administrative të Apelit, duhet të shkojnë të shoqëruara me një vendim pranimi nga kryetari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë ose vetë gjyqtari.

Ditët në vazhdim emisioni “BOOM”, do të sjellë raste të tjera të zhdukjes së dosjeve  në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku drejtuesit më të lartë, si Kryetari apo Kryesekretarja, pasi i plotësojne me dokumenta të reja që i merren paditësit edhe të panoterizuara, i dërgojnë këto dosje në Gjykatën Administrative të Apelit.

Denoncuesi: Isha në një çështje në Gjykatën Administrative Tiranë për heqjen padrejtësisht nga puna.Vazhdoi proçesi gjyqësor deri sa gjykata doli me një vendim të sajin ku në favorin tim vendosi shpërblimin me një shumë pagash. Më 17 qershor 2016, Gjykata dha vendimin dhe sipas procedurave, çështja ime u apelua për një shkallë më lart. Mirëpo akoma asgjë, akoma nuk ka kaluar nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Gjykatën Administrative të Apelit. Jam interesuar shumë herë, kam ardhur 15-20 herë. Tek Gjykata Administrative nuk japin asnjë lloj shpjegimi.Thjesht thonë kanë humbur dokumentat.Herën e fundit që isha, u interesova te Gjykata, më thanë që duhet të sjellësh gjithë dokumentat nga e para. Dhe unë ju thashë: Si ka mundësi ti sjell nga e para kur ju i patët dokumentat dhe nuk ishit në gjendje që ti ruanit? Më thoshin: Dokumentat na duhen, mund të jenë humbur

Gazetarja: Ju ku punoni aktualisht?

Denoncuesi: Kjo pyetje më vret, jeta të sfidoka dhe unë për momentin për bukën e fëmijëve punoj në minierë.

Biseda denoncues-kryesekretare–avokat  në Gjykatën Administrative

Denoncuesi: Ky është vendimi i … qershor 2016. Si është puna me këtë vendim?

Avokati: S’më beson më mua ky, deri tani e kam gënjyer.

Kryesekretarja: Nga arkiva dhe te zyra e ankimeve, për momentin nuk e gjejnë dosjen. Mund të jenë bashkuar siç bashkohen kur vijnë jashtë afatit dhe nuk po na del në arkiv. Dhe nuk shkon dot në Apel.Ju nëqoftëse keni një kopje të akteve, do mi japësh mua.

Avokati: Tani ti i do për të bërë dosjen?

Kryesekretarja: Po pra, i ke kopjet e dokumentave? Avokati: Po, i kam të gjitha unë.

Denoncuesi: Kjo ka 11 muaj, çfarë, do shkojmë dy vjet mbrapa ne? Tani një zgjidhje i duhet dhënë kësaj pune, kam ardhur mbi 15 herë.

Kryesekretarja: E di.

Denoncuesi: Goce, pse po i kërkon këto dokumenta? Ku shkuan?

Kryesekretarja: Më sill dokumentat.

Avokati: Do të sjell padinë bashkë me aktet të gjitha aktet, se unë i mbaj gjithmonë një kopje.

Kryesekretarja: Të gjitha do mi sjellësh. Kjo është vetëm një ngatërresë. Do jetë futur një dosje tek një dosje tjetër.Siç na kanë ardhur ne nga Apeli, dosje e futur tjetër për tjetër. Për shembull dosja ime brenda ka pasur dosjen tënde.

Denoncuesi: Them se s`do mundohemi më.

Kryesekretarja: Mirë, shumë faleminderit. Na falni.

Dorëzimi i dokumentave në Gjykatën Administrative

Denoncuesi:Urdhëro. (I jep kopjen e dokumentave të humbura Kryesekretares)

Kryesekretarja: Ok, shumë mirë.

Denoncuesi: Ma thuaj tani orën që nesër të shkoj atje unë?

Kryesekretarja:Tani të shoh njëherë se do i rakordoj me procesverbalet.Do hap procesverbalet e gjyqtarit dhe do rakordoj.Mirë? Numrin e avokatit e ka Olta? Nëqoftëse më del ndonjë që më mungon të flas me avokatin unë.E kupton?

Denoncuesi:Jo.

Kryesekretarja:Do rakordoj me proceverbalet e gjyqtarit.

Denoncuesi:Më fal, a më the dokumentat shkojnë nesër atje.

Kryesekretarja: Do rakordoj të thashë dhe me procesverbalin e gjyqtarit dhe me këto.Neqoftëse mua s`më del ndonjë, do flas me avokatin të ma sjellë.Të mos më mungojë asnjë.

Denoncuesi:Po këto dokumenta i kam marrë te avokati unë.

Denoncuesi: Mirë më mirë, po më the më sill dokumentat sot, që nesër të shkoj të interesohem te Apeli. Tani 11 muaj, të lutem tani.

Kryesekretarja: Të martë dhe të enjten nisen dokumentat.Nëse unë nesër nuk e bëj dot gati dhe mungon ndonjë gjë…

Denoncuesi: Mirë një numër telefoni mund të ma japësh ti mua?

Kryesekretarja:Nëqoftëse do ketë ndonjë mungesë e ka Olta numrin e avokatit që të flas me avokatin.

Denoncuesi:Të lutem sa më shpejt, aq më mirë.

Kryesekretarja:Unë për çfarë ta kërkova? Unë ta kërkova që ta nis

BOOM pyet në Gjykatën  Administrative të Apelit nëse ka shkuar dosja

Gazetarja: Përshëndetje. Desha të pyesja ka ardhur dosja e ……   …..?Jam motra.

Sekretarja: Kur ka mbaruar në Shkallë të Parë?

Gazetarja: Në 2016, 17 data e vendimit, në 2016, qershor.

Sekretarja: Mua nuk më figuron e regjistruar.

Gazetarja: Ngaqë më thanë të vija të pyesja këtu. Ka ardhur dhe vëllai para ca ditësh. Nuk ka ardhur?

Sekretarja: Mua s`më figuron e regjistruar. Ne s`kemi dosje të shkallës së parë të paregjistruara. Kjo është shumë e hershme si dosje.

Sekretarja: Nuk është regjistruar në Apel. Mos të mundoj. Ndoshta mund të jetë dosja atje. Ka shumë mundësi që të jetë atje.

Gazetarja: Ok, në rregull.Faleminderit.

Gazetarja diskuton me Kryesekretaren e Apelit për afatet kohore

Gazetarja: Sa është koha që duhet të vijë dosja nga atje këtu?

Kryesekretarja: Pas komunikimit të fundit pritet pesë ditë për afat kundërankimimi nga palët dhe dosja duhet të vij tek ne.

Gazetarja:Po nëqoftëse nuk vjen por rri një vit pa ardhur??Kjo përbën shkelje?

Kryesekretarja:Tani mua mos më kërko gjëra të tjera, s`kam pse të ti them unë përbën shkelje, s`përbën shkelje.

Gazetarja:Po normalisht këto raste kam unë që më kanë ardhur.

Kryesekretarja:Pyet në Gjykatën e Shkallës së Parë ose flasim për raste konkrete që pse s`ka ardhur.

Gazetarja: Ju e pranoni pas një viti nëse vjen dosja nga atje këtu?

Kryesekretarja: Po, normale kur vijnë tek ne, këtu vijnë me vendim pranimi nga një kryetar gjykate ose nga gjyqtarët. Tek ne dosjet vijnë me vendim pranim ankimi.

Gazetarja: Ky vendim ku bëhet, jepet në shkallë të parë?

Kryesekretarja: Po, në shkallë të parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat