Skandali - Urdhër fiktiv për punësime në burgun e Shkodrës, tre persona nën akuzë

Shqipëria

Skandali - Urdhër fiktiv për punësime në burgun e Shkodrës, tre persona nën akuzë

Më: 18 qershor 2017 Në ora: 13:47
ilustrim

Premtimet për punësim në burgun e Shkodrës, ende i papërfunduar ka çuar për hetim tre shtetas.

Policia e Tiranës thotë se ka referuar materialet në Prokurori për shtetasit me iniciale: M. K., 41 vjeç, M. Z., 30 vjeç, si dhe A. S., 35 vjeçe, banuese në Tiranë.

Hetimet ndaj tyre nisën pas publikimit të një dokumenti zyrtar për fushatë elektorale për shpalljen e vendeve fituese të stafit civil të burgut të Shkodrës.

Sipas policisë, dokumenti është nënshkruar nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Miklovan Kopani, “ dhe i vulosur me vulën e institucionit shtetëror të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke pretenduar se janë shpallur fitues të një liste me 20 persona për tu punësuar pranë Institucionit të Ekzkutimit të Vendimeve Penale Shkodër”.

Ky urdhër pritej të vihej në funksionim në periudhën në vijim.

“Urdhri dyshohet se është fiktiv dhe është  nxjerrë nga funksionare të lartë në bashkëpunim në kundërshtim me ligjin gjatë kohës në detyrë dhe është përdorur në fushatë elektorale në qarkun e Shkodrës, në datën 15.06.2017 duke ju premtuar zgjedhësve vende pune në kundërshtim me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim. 

Dyshohet se haptazi janë konsumuar elementet e veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje duke premtuar për vend pune ose favorizime të tjera në kundërshtim me ligjin.

“Nga verifikimet e kryera nga ana e Specialistëve të këtij Seksioni ka rezultuar se procesi i rekrutimit të personelit për I.E.V.P Shkodër është ende në fazat fillestare të tij dhe aktualisht nuk vijon si proces”, thuhet më tej.

Nga hetimet e kryera dyshohet se personat e sipërpërmendur duke përdorur vulën e institucionit kanë falsifikuar këtë shkresë, duke premtuar vende pune gjatë fushatës zgjedhore me qëllim përfitime elektorale.  

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” e kryer në bashkëpunim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat