LSI padit Kryeministrin Rama në Prokurori

Shqipëria

LSI padit Kryeministrin Rama në Prokurori

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 12:42
Petrit Vasili dhe Edi Rama

Lëvizja Socialiste për Integrim ka paditur Kryeministrin Edi Rama në Prokurori, pasi sipas saj, Rama shkeli ligjin kur ftoi policinë të marrë vota për PS.

“Thirrjet e Ramës për policinë e shtetit përbëjnë ngjarjen më të rëndë të thyerjes së ligjit, thyejnë rëndë moralin të detyrës së një Kryeministri gjatë një fushatë elektorale në këto 25-vjet. Kjo ngjarje dhe kjo veprimtari e Kryeministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithë ligjet”, thuhet në një njoftim për mediat, të shpërndarë nga kjo forcë politike.

Sipas LSI, Kryeministri me këtë thirrje ka shkelur të gjithë hierarkinë shtetërore të akteve ligjore, shkeljet që nga Kushtetuta dhe deri tek VKM-ja më e fundit që ka miratuar qeveria e tij, “si pjellë e marrëveshjes politike të datës 17-18 Maj 2017”. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Rama ka konsumuar elementë të veprave penale, ndaj ajo çmon e ndjekjes penale dhe kryerjen e hetimeve të paanshme në lidhje mbi këtë çështje.

“Nëpërmjet këtij akti Rama ka shkelur ligjet që e ndalojnë Policinë e Shtetit të marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Rama me veprimet e tij të cilat tashmë nuk i bën më fshehtas, por hapur dhe publikisht, ka kryer shkelje të rënda rregullat në një proces zgjedhor. Thirrjet e Ramës tregojnë se ky shtetas ka konsumuar njëherazi elementë të veprave penale.”

Por Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ndalet vetëm me padi kundrejt kreut të qeverisë, duke kërkuar edhe kontroll mjekësor, për të verifikuar sipas saj, nëse është i aftë mendërisht për të kryer detyrën e kryeministrit. LSI shprehet se këto deklarata tregojnë të kundërtën.

“Çmojmë të domosdoshëm kontrollin mjekësor të Kryeministrit, për të verifikuar nëse ai është i aftë mendërisht ose jo, që të kryejë detyrën e Kryeministri. Këto deklarata tregohet qartë se nuk është në gjendje të qëndrueshme mendore. Nëse një tronditje e tillë psikike, vjen si pasojë e panikut, prej fuqisë së rritjes së mbështetjes popullore për LSI, sërish nuk është aspak shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale dhe politike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat