Naço: Miratuam ligjin, por asnjë politikani të korruptuar nuk i është sekuestruar pasuria

Shqipëria

Naço: Miratuam ligjin, por asnjë politikani të korruptuar nuk i është sekuestruar pasuria

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 13:05
Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço

Ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i ftuar në emisionin ‘7 pa 5’ në Vizion Plus, u shpreh se edhe pse ka tre vjet është miratuar ligji, ku duke përdorur ligjin anti-mafia mund të sekuestrosh pasurinë e një politikani që dyshohet për korrupsion, nuk kemi pasur asnjë rast të tillë.

Duke folur për Reformën në Drejtësi, Naço theksoi se duhej vullnet që kjo reformë të niste të zbatohej, dhe sipas tij, ky vullnet mungoi nga ana e qeverisë.

"Unë kam një pyetje për ju, për t’ia bërë ju kryeministrit. Në katër vite, kryeministri i vendit apo edhe ministri i Brendshëm nuk kanë përdorur një shprehjeje: Luftë kundër krimit të organizuar, luftë kundër korrupsionit.

Kam qenë një nga ministrat e parë në kabinet që kam propozuar ligjin anti-mafia. Pra, në rastet e korrupsionit të ndryshohej Kodi i Procedurës Penale, dhe rastet e korrupsionit të ndiqeshin siç ndiqeshin bandat kriminale, duke aplikuar edhe ligjin anti-mafia. Në atë kohë, brenda kabinetit me quajtën edhe Jakobin. 

Edhe pse u miratua ligji ka tre vjet, asnjë rast nuk keni dëgjuar që ish-Ministri i Financave të aplikojë ligjin anti-mafia për rastin e korrupsionit kur dyshohet për një zyrtar të lartë të fillojë sekuestrimi i pasurisë së atij zyrtari dhe familjarëve të tij. Ligji thotë se është Ministri i Financave dhe i Brendshëm që fillon procedurat për sekuestro dhe konfiskim, në tre vjet nuk kemi asnjë rast të tillë.", tha Naço.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat