Deputetja e PD-së Albina Deda, ka thënë se e majta e Edi Ramës po ikën nga Shqipëria. Në një reagim për media, Deda ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë PD-në, për siç ka thënë ajo "amanetin e breznive, që u shuan pa dritë dhe avenirin e gjeneratave që janë duke u rritë”, shkruan Bota sot.
Reagimi i plotë:
25-QERSHOR, VENDIM DHE JO DILEMË !
Miq e dashamirë!
Demokratë të Mirditës e gjithë Shqipërisë!
E majta dhe socializmi i rrejshëm njëlloj si babai i tyre komunizmi po përjeton ritet ateiste të funeralit pa kthim në të gjithë botën e qytetëruar. Bashkë me ta po ikën dhe oligarkia korruptive.
Kjo është aksioma e madhe e revolucionit pankozmik, i cili nuk ka ku shkon pa ndalur frymën në trojet tona.
Asnjë mashtrim, vegim e krim, propagandë e dhunim nuk e ndalon dot këtë proçes degradimi të tyre.
Çitjanet e batutat bastarde të Edi Ramës nuk mund të ushqejnë një popull në uri e varfëri, flamuri kuqezi nuk mund të rri në dorën e hajdutëve, nacionalizmi shqiptar nuk mund të ketë strehë koliben e pasardhësve të Dushan Mugoshës.
Në historinë tonë patëm luftëra e kryengritje, por jo revolucione! Më 25 qershor është finalizimi i revolucionit qytetar dhe i Republikës së Re, e cila u rrit e u poq nga idhnimi i një kombi prej dhunës, poshtërimit, korrupsionit e krimit.
Arma e vetme e Revolucionit tonë është vota me qytetari e mbështjellë me vullnetin për liri dinjitet e drejtësi.
Ndaj t’i lëmë ndasitë, interesat parciale meskine dhe bestytnitë e me votën e 25 qeshorit t’i tregojmë botës se trolli i Konstandinit, Gjergj Kastriotit e Shenjtës Nanë Terezë nuk është dheu i mallkimit, por atdheu i civilizimit.
Për amanetin e breznive, që u shuan pa dritë dhe avenirin e gjeneratave që janë duke u rritë, të votojmë PD-në, e cila ka treguar se ka shenjtëruar interesi qytetar!
Ne jemi shumë se Liria është e madhe, ne jemi fitimtar se kauzat vonojnë, por kurrë nuk vdesin e tjetërsohen, por triumfojnë./BS