Përballja e fortë Shullazi-Beqja, po verifikohen funksionarë të lartë shtetërorë

Shqipëria

Përballja e fortë Shullazi-Beqja, po verifikohen funksionarë të lartë shtetërorë

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 07:48
Pamje nga gjykimi

Faktet tronditëse që dolën në dritë nga përballja mes dëshmitarit Ylvi Beqja dhe Emiljano Shullazit në Gjykatën e Krimeve të Rënda tri ditë më parë, kanë vënë në lëvizje Prokurorinë.

Kjo e fundit mësohet se ka vendosur hapjen e një procesi verifikimi “nëse ka vepër penale” në ngjarjet dhe faktet që dy personat bënë prezentë në gjykatë gjatë seancës gjyqësore të ballafaqimit mes tyre.

Emrat e përmendur nga Emiljano Shullazi, por edhe nga dëshmitari Ylvi Beqja, person i dëmtuar nga një gjobëvënie 55 mijë euro në këtë proces, ishin personazhe publike dhe me funksione shtetërore. Por në fillim të ballafaqimit, Ylbi Beqja bëri prezente edhe dy tentativa që ishin bërë për t’i ofruar atij, siç tha biznesmeni, “7 milionë euro për tërheqjen e kallëzimit penal ndaj Emiljano Shullazit”.

Burimet nga Prokuroria kanë thënë jozyrtarisht për "Panorama" se përmbajtja e seancës gjyqësore të ballafaqimit mes Shullazit dhe biznesmenit që ka bërë kallëzim për kanosje dhe gjobëvënie, ka nxjerrë në pah fakte që nuk kanë qenë të njohura deri tani.

Një prej këtyre fakteve, sipas Prokurorisë, është kanosja që i është bërë Ylvi Beqjas, përfshi këtu kërcënimet, ofrimin e shumave monetare, apo edhe kërkesat për të tërhequr kallëzimin.

HETIMI

Pas regjistrimit të procedimit të nisur nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, grupi i hetimit ka administruar procesverbalin e seancës gjyqësore. Pikërisht ky dokument po shqyrtohet në lidhje me gjithë emrat dhe ngjarjet e përmendura në të. Bazuar në emrat e përmendur, Prokuroria e Krimeve të Rënda po shqyrton mundësinë që këta shtetas të thirren për të dhënë deklarime, por nuk përjashtohet edhe mundësia që të nxirren urdhra ndalimi.

Në seancën e ballafaqimit, e cila u mbajt pak ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dëshmitari Ylvi Beqja iu përgjigj pyetjeve të prokurorisë, avokatëve të të pandehurve dhe vetë Emiljano Shullazit.

Sipas dëshmisë së dhënë nga ana e Ylvi Beqjas, ai ka marrë mesazhe apo thirrje telefonike nga disa persona ku i kërkohej që të tërhiqte kallëzimin dhe deklarimet ndaj Shullazit.

Biznesmeni Ylvi Beqja, javën e ardhshme në një tjetër seancë pritet që t’u përgjigjet në sallën e gjyqit pyetjeve të Emiljano Shullazit, të pandehurve të tjerë dhe avokatëve mbrojtës. Seanca e ballafaqimit e kësaj jave u zhvillua për më shumë se pesë orë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.

DËSHMIA

Në lidhje me kërcënimet që i janë bërë dhe ofertat për tërheqjen e dëshmisë, Ylvi Beqja tregoi në gjykatë konkretisht ngjarjet.

“Jam takuar kur isha në mbrojtje. Kanë telefonuar djalin tim dhe i kanë thënë “kemi një biznes shumë të mirë për babin”. Erdhi Martinaj dhe më tha: Ti duhet të tërhiqesh nga dëshmia. Ata janë gati të të japin 7 milionë euro, nga të cilat 5 milionë që tani dhe 2 të tjera më vonë. Unë i thashë që nuk tërhiqem, se i bie të shkoj unë në burg, ku janë ata. Pastaj biseda degradoi. Filluan kërcënimet nga Martinaj. Ai më tha që kam takuar ca miq të tutë, të cilëve ti u je debitor. I thashë unë jam biznesmen, marr dhe jap gjithmonë. Ai më tha se me disa prej tyre do të shkonin të më padisnin në prokurori. Më tha “ke miq, vëllezër, motra. Sot i ke, nesër s’i ke”, ka thënë Beqja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat