Gjetën 40 fotokopje të kartave të identitetit para zyrës, PD i denoncon në polici

Shqipëria

Gjetën 40 fotokopje të kartave të identitetit para zyrës, PD i denoncon në polici

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 18:20
Edmond Spaho

Edhe pse sot duhet të ishte një ditë heshtje e plotë nga subjektet politike që nesër do të jenë në zgjedhje, përfaqësues të forcave të ndryshme politike kanë denoncuar në media raste të ndryshme për atë që ata mendojnë se kanë të bëjnë me blerje votash.

Sot, drejtuesi politik i PD në qarkun e Elbasanit, Edmond Spaho ka denoncuar në polici marrjen e kartave të identitetit të qytetarëve romë, me qëllim përdorimin e tyre në mënyrë të paligjshme në zgjedhje. Spaho bëri me dije se janë gjetur 40 kopje të kartave të identitetit të qytetarëve romë, por nuk akuzoi asnjë subjekt politik, duke lënë policinë të zbardhë ngjarjen.  Spaho gjithashtu theksoi se ka tentativa për blerje votash, sidomos në qytetin e Cërrikut, për të cilat do të kërkohet gjithashtu hetim. 

“Sapo denoncuam një tentativë për shitblerje votash në Elbasan. Afër zyrës së PD-së, gjetëm një tufë rreth 40 fleta fotokopje karta identiteti dhe pasaporta të komunitetit romë. U interesuam dhe njëri nga personave u është marrë karta familjarisht dhe deklaroi se ato janë mbledhur nga individi Afrim Jagodina. Të gjitha materialet, kartat dhe deponimin e tij, ia kaluam policisë. Subjektin do ta zgjidhi policia sipas akuzave që janë deponuar. Policia ka filluar hetimin e çështjes. Do veprohet sipas procedurave. Kemi pasur njoftime verbale për tentativa të shpërndarje parash në Cërrik. Konstatohen mjaft raste që individë të forcave të ndryshme politike përpiqen të mbledhin vota në këmbim të parave”, tha Spaho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat