Majlinda Bregu: Sot është ditë e vajtueshme për PD

Shqipëria

Majlinda Bregu: Sot është ditë e vajtueshme për PD

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 22:49
Majlinda Bregu

Ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu e ka quajtur një ditë të vajtueshme momentin ku ndodhet Partia Demokratike.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD ku u diskutuan kandidaturat për kreun e partisë, Bregu deklaroi se lidershipi i Partisë Demokratike vazhdon të gabojë rëndë dhe kjo do të përçajë demokratët.

“Kemi nxituar për t’i vënë kapak kësaj humbje. Unë po e përsërit, vazhdoj të them që ky është një gabim i rëndë. Sot PD vazhdon lojën luftash si dikur, një lojë që po i përçan demokratët dhe nuk po i bashkon. Po rendim gati për të vënë gjoba. Në fund fare ata që humbasin janë demokratët. Nuk mund të bëj dot më shumë se sa kaq. Por nuk mund të mos them, sot është ditë e vajtueshme për PD. Por e nesërmja do të jetë fatkeqësisht akoma më e vajtueshme”, tha Majlinda Bregu për gazetarët.

Mbledhja e Kryesisë u drejtua nga dy nënkryetarët e partisë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, në mungesë të z.Basha.

Pasi u shqyrtuan kandidaturat, u vendos që të vlefshme janë vetëm dy për kreun e PD, ajo e Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit. Kandidaturat e tjera nuk kishin përmbushur kriteret, ndërsa Astrit Patozi që kishte njoftuar kandidimin, u tërhoq një ditë më parë.

Gjatë diskutimeve të mbledhjes, grupi anti-Basha kërkoi shtyrje të datës së zgjedhjeve dhe të bëhej një analizë për humbjen e zgjedhjeve të demokratëve në 25 qershor. Kërkesa e tyre u rrëzua, ndërkohë që ata e quajnë garën false nëse Lulzim Basha nuk jep dorëheqjen. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat