Rama: Krijimi i tregut të përbashkët rajonal, projekt thelbësisht europian

Shqipëria

Rama: Krijimi i tregut të përbashkët rajonal, projekt thelbësisht europian

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 15:07
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama nënvizoi të premten rëndësinë e hapave të hedhur në Samitin e Triestes për Ballkanin Perëndimor, në drejtim të organizimit të tregut të përbashkët rajonal.

Kryeministri Rama doli në një konferencë për shtyp nga ambientet e kryeministrisë, për të dhënë detaje lidhur me angazhimet e marra në këtë Samit, pasi siç tha ai, “mediat kanë pasqyruar përgjithësisht aspektin e kronikës së Samitit, pa hyrë në elementët kryesorë të përmbajtjes”.

“Natyrisht që aspekti themelor i procesit të Berlinit mbetet në planin politik, si një plan ku është bërë një progres i paimagjinueshëm deri përpara se ky proces të iniciohej nga kancelarja Merkel. Një progres falë së cilit tanimë jo vetëm nuk përbën asgjë historike takimi i liderëve të rajonit, por është rutinë ashtu siç duhet të jetë, edhe për faktin se jetojmë në një fazë historike të zhvillimit të rajonit, ku vullneti politik për të avancuar axhendën e bashkëpunimit rajonal dhe europian është në nivelin më të lartë”, tha Kryeministri Rama.

Duke u ndalur te organizimi i tregut të përbashkët rajonal, Rama hodhi poshtë të gjitha kundërshtitë qesharake ndaj këtij projekti, për të nënvizuar atë që është thelbësisht e vërteta e thjeshtë e projektit, “një rritje e kapaciteteve tona si vende të rajonit për të pasur një treg shumë më të madh, se sa tregjet tona të vogla, si dhe një rritje e kapaciteteve eksportuese dhe importuese brenda rjonit, duke hequr barrierat penguese jotarifore, por edhe një rritje në aspektin e përgatitjes së rajonit për t’iu bashkangjitur tregut të përbashkët europian”.

“Është e kotë të humbasim kohë dhe energji për gjithfarë broçkullash që janë dëgjuar. Projekti është thelbësisht europian dhe mbështetet tërësisht në frymën europiane të bashkëpunimit dhe ndërveprimit. Nuk përbën absolutisht një zgjidhje alternative, por përkundrazi, një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe rajonit në BE. Nuk ka broçkull më të madhe për tu evidentuar si kulmi i marrëzisë në interpretimit të këtij projekti, se sa ajo e krijimit të Jugosllavisë. Jemi duke hedhur hapa para në një proces tërësor bashkëpunimi dhe ndërveprimi të vendeve të rajonit, që deri para procesit të Berlinit ishte i paimagjinueshëm dhe jemi duke zhvilluar në mënyrë komplementare me axhendën e integrimit në BE, një axhendë rajonale, ashtu siç janë zhvilluar mes vendeve fqinje të BE-së. Në rajone të caktuara të Europës këto janë të prekshme dhe evidente për këdo që do të kuptojë pa folur broçkulla, siç është bërë rëndom zakon në katundin tonë politik dhe mediatik”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat