Dalin emrat e qeverisë së re?! Surprizon Edi Rama

Shqipëria

Dalin emrat e qeverisë së re?! Surprizon Edi Rama

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 11:08
Edi Rama

Fitorja nga Partia Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit e shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme vendin në katër vitet e ardhshme, i ka dhënë mundësi mazhorancës së re që të krijojë një qeveri që i përgjigjet prioriteteve të saj, por edhe që do ta bëjë atë më fleksibël ndaj pritshmërive të qytetarëve.

Vetë kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur publikisht se qeveria e re do të jetë më e vogël nga ajo e deritanishmja, duke paralajmëruar shkurtime të portofoleve ministrore, por edhe të asaj pjese të administratës shtetërore që për shkak të mbivendosjes së kompetencave, deri më sot ka sjellë më shumë burokraci për qytetarët.

“I gjithë grupi i shushunjave do të shkrihet, pasi janë aty jo për t’i shërbyer njerëzve. Të gjitha këto po i përgatisim, që në fillim të shtatorit të jemi gati me blloqet e mëdha duke filluar nga qeveria e re, që do të jetë më e vogël, më eficente dhe patjetër do të ketë kapacitetin për të garantuar bashkëqeverisjen. Nuk do të ekzistojnë më ministri dhe agjenci që nuk begenisin t’i lexojnë dhe jo t’u kthejnë përgjigje njerëzve”, u shpreh Rama pak ditë më parë nga qyteti i Durrësit ku zhvilloi një takim me qytetarët në kuadër të turit të dëgjesave për përcaktimin e prioriteteve të qeverisë së re.

Ndërsa grupet e punës që ka ngritur PS janë duke punuar për të tërhequr mendimet e votuesve dhe strukturave në bazë për qeverisjen e re, burime nga PS kanë bërë të ditur se qeveria e re do të ketë ndryshime të mëdha si sa i takon arkitekturës së saj, ashtu edhe të emrave të ministrave.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se sa i përket arkitekturës, pritet të bëhen shkrirje apo bashkime dikasteresh të ndryshme, që deri më sot ose kanë ekzistuar për t’i plotësuar dëshirat edhe aleatëve, ose që në shumicën e rasteve kanë kryer funksione që mund t’i kryente edhe një ministri tjetër.

Kështu, ndryshimet do të prekin Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Energjetikës.

Mësohet se këto tre dikastere mund të rigrupohen në dy ministri, ku mund të kemi ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Financave ose një bashkim të Ministrisë së Ekonomisë me atë të Energjetikës.

Sektorë të tjerë që mund të preken janë edhe ai Bujqësisë dhe i Mjedisit. Burimet bëjnë të ditur se mund të ketë një bashkim edhe të këtyre dy ministrive. Ndërkohë që një tjetër ndryshim mund të jetë edhe ai i bashkimit të Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Por ndërsa pritet bashkimi apo shkrirja i ministrive konkrete, pjesë e këtij reformimi do jenë edhe shkëputja e drejtorive apo institucioneve të ndryshme të vartësisë për të krijuar institucione të reja që mund të rigrupojnë këto funksione me qellim rritjen e efikasitetit dhe fleksibilitetit të funksionimit të tyre.

Kështu, mësohet se po diskutohet për krijimin e një ministrie të re, e cila mund të përmbledhë administrimin e disa prej çështjeve më të mprehta dhe problematike të qeverisjes, siç mund të jenë hipotekat, legalizimet dhe kthimi i pronave.

Ndërkohë që paralelisht me këto diskutime brenda PS-së kanë nisur të fliten edhe për emrat e ministrave.

Burime nga PS kanë bërë të ditur se Rama do t’i qëndrojë filozofisë së tij për të pasur një prani të madhe të grave në qeveri.

Ndaj mësohet se serish afërsisht gjysma e kabinetit do jetë i përbërë nga ministra gra. Sa i përket emrave konkretë, një pjesë e mirë e ministrave aktualë nuk do të jenë më në qeverinë e re, ndërkohë që disa nga emrat kyç do të jenë serish në kabinet.

Kështu, ai që duket se rikonfirmuar deri më tani, është Fatmir Xhafaj, i cili me shumë mundësi do kthehet për të drejtuar Ministrinë e Brendshme.

Kujtojmë se disa muaj më parë ndaj tij pati një opozitë të fortë nga Presidenti Nishani dhe PD, por figura e tij mori mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për të drejtuar ndoshta ministrinë më të rëndësishme të qeverisë.

Ndërkohë që Ahmetaj pritet të rikonfirmohet në Ministrinë e Financave, së cilës mund t’i shtohet edhe Ministria e Ekonomisë. Një lëvizje në kabinet pritet të ndodh edhe në vendin që mbetet bosh në Ministrinë e Transporteve.

Në këtë ministri flitet se mund të kalojë Damian Gjiknuri, i cili deri më tani mban pozicionin e ministrit të Energjetikës.

Ndërkohë që një emër që pritet të kthehet në qeveri është edhe ai i kreut të PS-së së Tiranës dhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Burime nga PS bëjnë me dije se Tahiri do të drejtojë një ministri të re që pritet të krijohet dhe që do të mbulojë çështjet më të rëndësishme dhe më problematike të administratës shtetërore shqiptare.

Bëhet fjalë për ministrinë që pritet të krijohet për të mbuluar pronat, legalizimet dhe pronat.

Ndërkohë që në Ministrinë e Shëndetësisë me shumë mundësi do të rikthehet Ogerta Manasterliu, te Mirëqenia Sociale pritet të rikthehet kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka.

Emri i Xhaçkës flitet gjithashtu edhe për postin e ministres së Integrimit, gjithmonë nëse Rama në këtë rast nuk do të bëjë ndonjë emërim surprizë.

Në qeveri pritet të rikthehet edhe një nga emrat më të përfolur dhe sulmuar të qeverisjes së këtyre 4 viteve, Ilir Beqja, i cili në varësi të arkitekturës së re të qeverisë mund të drejtojë një nga dikasteret që mund të ndryshojnë siç mund të jetë Energjetika dhe Ekonomia, nëse ato të do të bashkohen.

Ndërkohë që pjesë e qeverisë së re mund të bëhet edhe Blerina Gjylameti, së cilës iu dha një rol shumë i rëndësishëm në procesin organizativ të PS-së në këto dy vitet e fundit.

Një dikaster që mbetet bosh me largimin e LSI-së nga qeveria është edhe ai i Drejtësisë.

Por me shkëputjen e hipotekave dhe zbatimin e vettingut kësaj ministrie i mbeten pak kompetenca dhe funksione.

Nuk përjashtohet që në këtë ministri të kemi si ministër ndonjë emër surprizë. Ndërkohë që Mimi Kodheli pritet të rikonfirmohet në postin e ministrit të Mbrojtjes, ndërsa Nikolla te Arsimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat