Kryeministri, Edi Rama, ka ndarë me miqtë e tij në fb shënimin e një dite më parë të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të përditshmen serbe “Blic”, ku bënte thirrje për zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës.
Rama vlerëson se ka ende shumë rrugë për të dalë nga tuneli i një historie të rëndë mizorish të përgjakshme, siç është historia e Ballkanit, ku vitet e fundit janë hedhur sidoqoftë drejt rrugëdaljes hapa që deri përpara këtyre viteve nuk i imagjinonin as më optimistët.
Edhe ky shkrim i Aleksandër Vuçiçit, Presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, nuk mund të imagjinohej pak vjet më parë, shton Rama, paçka se siç i thon? djalli fshihet n? detaje dhe nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë…
“Dhe Kosova mbetet, mu siç e thotë edhe Presidenti serb, nyja gordiane, prerja ose jo e së cilës, përmes njohjes ose jo si shtet nga Serbia po shtoj unë, është edhe zgjedhja e qartë mes territ të tunelit dhe dritës së daljes prej tij!” thekson Rama.
Kryeministri thotë se kjo është një zgjedhje që e sjell në anën e dritëdaljes, përpjekja e mundimshme dhe reciproke për ta kuptuar deri në fund njëri-tjetrin, përmes një dialogu të palodhur e fort të dhimbshëm, në emër të dashurisë për kalamajtë e të dy popujve tanë dhe përgjegjësisë për të ardhmen me paqe e begati të dy kombeve tona.