Akuza e re e prokurorisë, flet Shukri Xhelili: S’po më lënë rehat, ja e vërteta

Shqipëria

Akuza e re e prokurorisë, flet Shukri Xhelili: S’po më lënë rehat, ja e vërteta

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 17:34
Shukri Xhelili

I liruar nga burgu prej një muaji, ish-kryetari i Bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, është bërë sërish objekt i organeve të drejtësisë, shkruan “Panorama”. Xhelili u shkarkua nga detyra e kreut të bashkisë pas skandalit seksual të bërë publik në maj të vitit 2016. Pas disa proceseve gjyqësore, 57-vjeçari u dënua nga Gjykata e Apelit me 1 vit e tetë muaj burg.

Ai u shpall fajtor me akuzën “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën” e mbetur në tentativë. Kurse akuza tjetër “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” u rrëzua. Ai nuk dëshiron të flasë për këtë çështje, por thekson se janë “historira” dhe “kurthe” që ju ngritën. Ndërsa më tej shton se pavarësisht se u mbetet korrekt zbatimit të ligjeve, përsëri “nuk po më lënë të qetë”. Ndërkohë, dje Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Peshkopi e ka akuzuar për fshehje të pasurisë. Më konkretisht, bëhet fjalë për një apartament në qytetin e Durrësit që disponon familja Xhelili, por që nuk është përfshirë në formularin e deklarimit të pasurisë. Por, përkundër akuzës së Prokurorisë Dibër, që vjen pas kallëzimit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Xhelili shprehet se historia është shumë e thjeshtë dhe se nuk ka asnjë përpjekje për fshehje pasurie.

“U habita kur disa media dhanë lajmin se unë qenkam kallëzuar nga Prokuroria e Dibrës për “mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”. Unë jam gjobitur nga ILDKP-ja me 400 mijë lekë për këtë gabim që kam bërë gjatë plotësimit të formularëve. Ribërja publike e këtij gabimi njerëzor lidhet me sa kuptoj me të njëjtët persona që janë marrë me personin tim”, theksoi Xhelili. Ish-kreu i Bashkisë Dibër thotë se prej 21 vitesh merret me biznes dhe nuk është aspak e vërtetë se apartamenti në Durrës është fshehur nga formulari i deklarimit të pasurisë. “Kur unë kam plotësuar formularët e deklarimit të pasurisë nuk e kishim marrë apartamentin në Durrës. Djali kishte kontratë me një subjekt privat që ndërtonte një pallat. Ne i ofruam material duralumini në këmbim të një hyrjeje. Firma është furnizuar nga ana jonë me fatura të rregullta. Ne nuk e kemi pasqyruar hyrjen në deklarimin e pasurisë së pallati dhe apartamenti nuk kanë përfunduar ende”, shprehet ish-kryebashkiaku.

As ILDKP-ja nuk e ka njoftuar Shukri Xhelilin kur e ka gjobitur me 400 mijë lekë, duke mos i dhënë mundësi atij të riplotësojë formularët apo të korrigjojë gabimin e bërë gjatë deklarimit të pasurive. Mësohet se hetimi i Prokurorisë së Dibrës nisi pas kallëzimit të bërë nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, ku në raportin për ish-zyrtarin vendor thotë se nuk justifikon të ardhurat për blerjen e një apartamenti në qytetin e Durrësit me vlerë 34 mijë euro. Duke iu referuar vlerës së apartamentit Shukri Xhelili shprehet se është e pakuptimtë të aludohet se të ardhurat e familjes së tij nuk justifikojnë blerjen e një apartamenti me një vlerë të tillë.“E thashë edhe më lart. Unë kam 21 vjet që punoj privat dhe kam siguruar të ardhura për të blerë jo vetëm një apartament. Po merren gabimisht me mua dhe familjen time. Kam dhënë sqarime të hollësishme në Prokurori dhe nuk është e drejtë të jem objekt sulmesh të vazhdueshme”, përfundoi ish-kryetari i Bashkisë Dibrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat