Basha takim dhe kafe me deputetët, i ofron aleancë LSI-së

Shqipëria

Basha takim dhe kafe me deputetët, i ofron aleancë LSI-së

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 08:35
Lulzim Basha

Gjatë ditët së djeshme oborri dhe më pas selia qen drore e Partisë Demokratike është mbushur me fytyra të reja. Qenë deputetët e rinj demokratë të cilët zhvilluan një takim njohje me selinë blu dhe me Lulzim Bashën, i cili vetëm pesë ditë më parë i rizgjodh kryetar i tyre. Në mbledhjen e mbajtur kreu demokrat ka porositur deputetët që të nisin punën për një tur special në të gjithë vendin për t’u organizuar në një opozitë frontale, si dhe i shërbeu për të dhënë një mesazh të qartë duke shuar përfundimisht zërat për bashkëqeverisje me Ramën pas marrëveshjes së 18 majit. “Misioni ynë do jetë një opozitë e fortë. Ne do të nisim një tur special në të gjithë vendin”, është shprehur Basha gjatë deklaratës për mediat. Pas përfundimit të takimit, Basha ftoi për bashkëpunim me opozitën forcat e tjera politike, ndërsa u shpreh se 6 ministrat teknikë dhe zv/kryeministrja po përfundojnë raportin për zgjedhjet dhe menjëherë pas tij do japin dorëheqjet nga funksionet. “Ne do të denoncojmë të gjitha rastet që vështirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë. Jemi gati të bashkëpunojmë me këdo që është gati të  bëjë opozitë ,por jo pazar-opozitë. Opozita është e plotë. Nuk është më kohë të pjesshme, është e pandarë ndaj pushtetit, nuk është diku opozitë dhe diku pazar. Ndaj ftesa është për këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend. Opozitën dhe alternativën, Partia Demokratike i ka sot misionin e saj kryesor. Ndërsa ministrat po përfundojnë raportin për zgjedhjet dhe menjëherë pas kësaj më kanë informuar se kanë bërë gati dorëheqjet e tyre”, u shpreh Basha.

Marrëveshja

Kreu i PD ka siguruar deputetët se nuk ka asnjë marrëveshje me Edi Ramën dhe se kompromisi i 18 majit ishte në  funksion të zgjedhjeve parlamentare. “S’kemi asnjë vizion të përbashkët me Partinë Socialiste. Nuk ka asnjë kompromis dhe asnjë flirt me Ramën. Marrëveshja e 18 majit ishte në funksion të zgjedhjeve dhe marrëveshje tjetër me Ramën nuk ka”, u shpreh Basha. Ai u ka kërkuar deputetëve demokratë angazhim dhe përqendrim të energjive të tyre në kontaktet me qytetarëve të të gjithë vendin si një mision për bashkimin e të gjithëve në përballjen me Edi Ramën, i cili sipas Bashës përfaqëson të keqen në vend. Në këtë drejtim edhe për LSI, Basha kishte të njëjtin qëndrim si pjesë e së njëjtës të keqe. “Rama përfaqëson të keqen, PS dhe LSI janë njësoj. Ne jemi opozitë dhe do denoncojmë çdo gjë. Marrëveshja e 18 majit ishte në funksion të zgjedhjeve dhe marrëveshje tjetër me Ramën nuk ka”, tha kreu i PD-së.

Analiza

I pyetur se kur do të bëhet analiza për humbjes së zgjedhjeve Basha tha se analiza do të bëhet, jo në nivelin sovjetik, por në nivelin e analizimit të fakteve. “Do të analizojmë se çfarë ka ndodhur kuti për kuti votimi, çfarë përfaqëson kjo për qytetarët që banojnë në atë zonë dhe çfarë përfaqëson për përgjegjësitë dhe reflektimet e strukturës. Partia Demokratike do të dalë përmes një reflektimi të thellë, me një organizim edhe më të fortë, edhe më gjithëpërfshirës, edhe më të hapur edhe më luftarak për opozitën që ka nevojë ky vend”, theksoi ai. në fund ai tha se opozita duhet ta mbajë vëmendjen tek ajo që ka më shumë nevojë Shqipëria sot, një opozitë reale. “Në këto momente neve na duhet një opozitë e fortë, një opozitë të vërtetë për hallet dhe problemet e njerëzve për të rikthyer shpresën, e cila edhe sot e kësaj dite po ja mbath nga sytë këmbët, duke shkaktuar një eksod në vazhdim të shqiptarëve”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat