Çështja CEZ, dëshmon Gjiknuri: Po e kam takuar përfaqësuesen e DIA

Shqipëria

Çështja CEZ, dëshmon Gjiknuri: Po e kam takuar përfaqësuesen e DIA

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 16:41
Damian Gjiknuri

Në listën e dëshmitarëve VIP në gjyqin ndaj Kastriot Ismailaj për aferën mes DIA-s dhe CEZ është edhe emri i ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri, i cili është thirrur sot të dëshmojë në seancën gjyqësore.

Mësohet se dëshmia e Gjiknurit ka zgjatur për 90 minuta, gjatë të cilave ai ka pranuar të ketë takuar përfaqësuesin e DIA-s, Rebeka Gain. Referuar dëshmisë së tij, ministri është shprehur se ka rënë dakord me Gain që çështja me qeverinë të zgjidhej me marrëveshje.

“Ismailaj i kishte lënë emër të keq kompanisë”,- mësohet të ketë thënë ndër të tjera Gjiknuri.

Kastriot Ismailaj akuzohet që nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka përvetësuar një shumë prej afro 5 milionë eurosh, nga fondi që kishte mbledhur për llogari të faturave të papaguara të CEZ-it.

Kujtojmë se në tetor të 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi penalisht ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe Avokatin e Shtetit, Alma Hicka.

KLSH arriti në përfundimin se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milionë eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi çek CEZ, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat