PS nis analizën e votave në çdo kuti, kush janë 6 deputetët që do kontrollojnë strukturat

Shqipëria

PS nis analizën e votave në çdo kuti, kush janë 6 deputetët që do kontrollojnë strukturat

Më: 29 korrik 2017 Në ora: 09:08
Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama

Partia Socialiste ka nisur analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit për të evidentuar punën e strukturave të PS-së në 12 qarqe. Ky grup pune u prezantua nga Kryeministri Edi Rama më 3 korrik, ku mblodhi për herë të parë skuadrën fituese të 25 qershorit, në të cilën ishin të pranishëm deputetët e rinj dhe kandidatët për deputetë.

Kryesocialisti Rama caktoi Fatmir Xhafajn si drejtues të këtij grupi, i cili do të hartojë një raport përfundimtar për të bërë vlerësimin e punës së secilit drejtues politik në të 12 qarqet, kryetarëve lokal dhe organizatave të partisë. Xhafaj ka mbledhur për herë të parë grupin e punës ku ka caktuar dhe deputetët që do të angazhohen për analizimin e zgjedhjeve.

Vetë Fatmir Xhafaj dhe Ana Dhamo do të angazhohen për të hartuar raportin e qarqeve Berat dhe Fier. Ndërkohë që deputeti i Elbasanit, Arben Kamami, do të analizojë punë e qarqeve Dibër dhe Kukës. Nga ana tjetër, deputeti Ilir Pendavinji do të analizojë punën në qarkun e Korçës dhe Elbasanit.

Alket Hyseni, deputet i Vlorës, është angazhuar të verifikojë punën e qarqeve Shkodër dhe Lezhë. Flamur Golemi do të ketë në “patronazh” qarkun e Vlorës dhe atë të Gjirokastrës. Ndërkohë që kryeqyteti dhe qarku i Durrësit i janë lënë si përgjegjësi deputetes Blerina Gjylameti.

ZBULIMI

Grupi i punës për analizën e zgjedhjeve do të hartojë raportin e parë në fund të muajit korrik. Ndërkohë që si detyrë i është caktuar që të hartojë raportin përfundimtar në fund të muajit gusht, ku ky material do t’i dorëzohet Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste. Pjesë e raporteve do të jetë dhe evidentimi me emra konkretë të anëtarëve apo drejtuesve të strukturave të PS, të cilët kanë spikatur në zgjedhje dhe që kanë arritur një rezultat të kënaqshëm.

Po ashtu do të evidentohen dhe të metat e funksionarët që nuk janë angazhuar siç duhet. Vetëm Edi Rama i ka lënë porosi grupi të punës që të zbulojë sa më shumë gabime, në mënyrë që të korrigjohen.

“Sa më mirë t’i kuptojmë të metat, dobësitë, gabimet tona, duke i lexuar me ndershmëri vetëkritike faqet e shkruara së bashku në këta 45 muaj në qeveri, në Parlament, në parti, aq më të fortë dhe të gatshëm do të jemi në përballimin e sfidës kolosale të katër viteve të ardhshme”, ka thënë Rama.

Grupi i punes per analizen e zgjedhjeve

1. Fatmir Xhafaj – Ana Dhamo, qarqet Berat, Fier

2. Arben Kamami – qarqet Dibër, Kukës

3. Ilir Pendavinji – qarqet Korçë, Elbasan

4. Flamur Golemi – qarqet Vlorë, Gjirokastër

5. Alket Hyseni – qarqet Shkodër, Lezhë

6. Blerina Gjylameti – qarqet Tiranë, Durrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat