Tillerson-Ramës: Mandati i fortë obligon PS-në të thellojë shpejtësinë e reformave

Shqipëria

Tillerson-Ramës: Mandati i fortë obligon PS-në të thellojë shpejtësinë e reformave

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 16:38
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson

Kryeministri Edi Rama mori sot një telefonatë nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, thuhet në një njoftim për shtyp të Kryeministrisë.

Sekretari Tillerson e uroi Kryeministrin për fitoren kuptimplotë në zgjedhje. Ai shprehu bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme, e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit, vijon njoftimi.

Duke i shprehur Kryeministrit të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari i Shtetit i përcolli Edi Ramës përshtypjet shumë pozitive të Zëvendës Presidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe rikonfirmoi vullnetin amerikan për një vëmendje të përqëndruar në zhvillimet në rajon, theksohet në njoftim.

Kryeministri Rama e falënderoi bashkëbiseduesin për telefonatën dhe i bëri një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i vendit tonë, duke u përqëndruar kryesisht tek dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë, vijon njoftimi i Kryeministrisë.

Në pjesën e fundit biseda është shtrirë tek roli i Shqipërisë në NATO, kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku Sekretari Tillerson është shprehur me konsideratat më të larta.

Ndërsa Kryeministri Rama kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-në në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, çka është pritur me shumë interes nga bashkëbiseduesi, thuhet në njoftimin për shtyp.

Kryeministria bën të ditur se biseda telefonike mes Kryeministrit Rama dhe Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, ka zgjatur më shumë se njëzetë minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat