Ministri Bushati: Lutemi për viktimat dhe familjet e prekura nga sulmi terrorist në Barcelonë

Shqipëria

Ministri Bushati: Lutemi për viktimat dhe familjet e prekura nga sulmi terrorist në Barcelonë

Më: 17 gusht 2017 Në ora: 21:37
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati

Barcelona është goditur këtë pasdite nga një sulm terrorist dhe deri më tani bilanci i viktimave është 13 persona.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përmes një statusi në rrjetin social ka dënuar me ashpërsi sulmin si dhe ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e personave që humbën jetën.

“Dënoj fort sulmin terrorist në Barcelonë. Lutjet e mia shkojnë për viktimat dhe familjarët e tyre. Jemi me Spanjën në këtë moment të vështirë,” shkruan Bushati.

Një reagim ka patur dhe nga Ambasada Shqiptare në Spanjë e cila ka deklaruar se nuk ka viktima apo të lënduar me shtetësi shqiptare nga sulmi terrorist. Ambasada i ka bërë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë në Barcelonë që të qëndrojnë larg nga vendi i ngjarjes.

Sulmi terrorist ndodhi në sheshin Katalunja. Një furgon hyri në shesh dhe nisi të shtypte kalimtarët. Policia ka identifikuar një të dyshuar i cili ka marrë me qira furgonin që shtypi për vdekje 13 persona dhe plagosi disa të tjerë.

Emri i tij është Driss Oukabir, por ende në median spanjolle nuk ka një konfirmim nëse shtetasi me origjinë nga Maroku është ai që ka kryer sulmin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat