Armët me postë, flasin ekspertët kibernetikë: Skaner të dyshuarve

Shqipëria

Armët me postë, flasin ekspertët kibernetikë: Skaner të dyshuarve

Më: 27 gusht 2017 Në ora: 20:15
Policia shqiptare

Zbulimi i tre armëve automatike në aeroportin “Nënë Tereza”, ka sjellë mobilizimin e një sërë strukturave të policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.

Pas arrestimit të 32-vjeçarit Saimir Çullhai dhe shpalljes në kërkim të 47-vjeçarit N.F, prej 48 orësh oficerët e sektorit kibernetik në Policinë e Shtetit dhe SHISH, po punojnë për gjetjen e të dhënave të tjera, kryesisht biseda të zhvilluara në internet, profilet e përdorura etj.

“Punë e vështirë, por e pamundur”-i tha një burim gazetës “Shqiptarja.com”, i cili shtoi se tashmë janë fokusuar tek aparatet telefonike dhe profilet online të dy personave të zbuluar si të implikuar në këtë trafik armësh.

“Deri në këto momente nuk kemi të provuar se sa ishte çmimi i kësaj porosie, dhe kush ishte personi që shqiptarët kanë biseduar në internet në Mbretërinë e Bashkuar. Sigurisht që ata kanë lënë gjurmë, por kjo na mbetet ne ti zbulojmë”-u shpreh një burim pranë policisë së Shtetit.

Në këtë drejtim që prej tre ditësh, policia dhe prokuroria janë duke bashkëpunuar ngushtë dhe me autoritet angleze, me qëllim zbulimin e të gjithë personave që kishin arritur të organizonin më së mirë një trafik të tillë armësh nga Shqipëria në drejtim të Anglisë. Ndërkohë që nuk dihet ende nëse nga aeroporti i “Nënë Tereza”, janë përcjellë dhe në raste të tjera, kuti postare ku brenda të cilave ishin fshehur automatikë dhe municione luftarake.

Verifikim emrave për dërgesa të tjera
Në vijim të hetimeve të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda,në ditët në vijim pritet të kryehen disa verifikime nëse Saimir Çullhai dhe shtetasi tjetër me inicialet N.F, kanë kryer dërgesa të tjera ose jo.

Po ashtu verifikimeve do i nënshtrohet dhe emri i remë, që pretendohej se ishte pritësi në Mbretërinë e Bashkuar. E gjitha kjo procedurë për policinë dhe prokurorinë do kryhet për të mësuar nëse këta emra janë përdorur për të kryer një mekanizëm të njëjtë trafikimi, apo jo. Dyshimet e prokurorëve janë se kjo skemë mund të jetë aplikuar dhe herë të tjera, por nuk është zbuluar.

Një tjetër verifikim që është bërë gjatë këtyre ditëve është dhe fakti se personave në fjalë po verifikohen me imtësi, për tërheqjen e pagesave në banka apo në shoqëri të tjera të transferimit të parave. Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, u ka kërkuar të gjitha bankave dhe agjensive të transfertave të parave në vend, të japin informacion nëse Saimir Çullhai dhe shtetasi me inicialet N.F. kanë bërë tërheqjen e lekëve në sportelet e tyre.

Çmimi qesharake fitimi marramendës
Besohet se tre armët automatike Kallashnikov model 56 të çmontuara dhe paketuara me përpikmëri në tre kuti kartoni, janë blerë me një çmim qesharak në Shqipëri. Specialistët e hetimit thonë se armët mund të jenë siguruar kundrejt një çmimi prej 100 deri në 150 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që çmimi i një kallashnikovi në Angli, shkon deri në 8 mijë paund. Nuk dihet se në adresë të kujt grupi kriminal ose terrorist mund të binin këto armë, luftarake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat