Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka nisur tashmë takimin me kabinetin e ri qeveritar në Vlorë, në zonën e Llogarasë.
Njësoj si katër vite më parë, kryeministri ka vendosur që diskutimi me ministrat e tij të zgjasë dy ditë dhe rrezja e problematikave që do të shtrohen në tavolinë do të jetë e gjerë.
Në fokus të diskutimeve do të jenë një sërë çështjesh të cilat kryeministri i paralajmëroi ditën e djeshme në fjalën e tij të gjatë, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Rama do t’i kërkojë ministrave të rinj, gatitjen e skemës së re qeverisëse dhe risktrukturimin e ministrive të krijuara tashmë rishtazi. Kujtojmë se shumë ministri janë shkrirë brenda disa ministrive të tjera dhe do të kërkohet një punë e caktuar për të bërë “njehsimin” e dikastereve, jo vetëm në planin juridik por edhe në atë institucional. Një tjetër aspket i rëndësishëm i diskutimit mes Ramës dhe ministrave të tij do të jetë analizimi dhe vënia në sitë e agjencive shtetërore, shumë prej të cilave do të shkrihen.
Gjithashtu në tavolinën e diskutimeve është dhe çështja e përbërjes dhe drejtimit të komisioneve parlamentare. Për këtë çështje, kryeministri ka ftuar në takimin me ministrat edhe Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën, dy emra që do të mbajnë respektivisht postet e kryetarit të kuvendit dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së për 4 vitet e ardhshme.
Një tjetër aspekt që do të diskutohet gjerë është dhe ristrukturimi i Partisë Socialiste në të gjitha degët. Kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri paralajmëroi se fitorja e 25 qershorit, hap një epokë të rë për PS-në dhe Shqipërinë, ose do të shënojë një fitore të cilën socialistët mund të mos e “shijojnë” më për një kohë shumë të gjatë.
Përbërja e qeverisë Rama2:
Kryeministër Edi Rama
Zv/ kryeministre Senida Mesi
Ministër i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko
Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrëseve Sonila Qato
Ministria e Jashtme Ditmir Bushati
Ministria e Brendshme Fatmir Xhafaj
Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka
Ministria e Drejtësisë Etilda Gjoni
Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro
Ministria e Financave, Ekonomisë e Punës Arben Ahemtaj
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla
Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social Ogerta Manastirliu
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.