Nevrikoset Rama: Janë si dy pika uji! Zihen se kush më shan më bukur

Shqipëria

Nevrikoset Rama: Janë si dy pika uji! Zihen se kush më shan më bukur

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 10:14
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur kritikave që kanë ardhur nga dy ish deputetë demokratë, të njohur për “armiqësinë” e tyre ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.

Fjala është për Majlinda Bregun dhe Astrit Patozin. Ky i fundit ditën e djeshme paralajmëroi shqiptarët që të mbajnë mend mirë, fytyrat e ministrave të kabinetit të ri, pasi me dekretimin e tyre të shtunën, ata do të “zhduken nga sytë këmbët” dhe do të harrohen. Sipas analizës së Patozit, kjo do të ndodhë shumë shpejt, pasi përpara shqiptarëve do të dalë vetëm ai që ka qendërzuar pushtetin e ekzekutivit... kryeministri Rama.

Në kundërpërgjigje, Rama tha se Patozi e Bregu janë si dy pika ujë, të ngjashëm në dëshirën e tyre për të kritikuar sa më mirë kryeministrin dhe qeverinë. Por sipas Ramës, Patozi e Bregu merren me kritika, por jo me argumenta.

 “S’më bëjnë përshtypje kritkat e tyre, as te Bregut as te Patozit ndaj qeverisë, po ti shikoni janë të ngjashme si dy pika uji, ata janë në garë me njeri-tjetrin se kush e shan më bukur qeverinë, nuk merren me argumente… pse ku do shkojnë ministrat?”, tha Rama.

Më poshtë komenti i Astrit Patozit, i shkruar ditën e djeshme:

MUND TË JETË HERA E FUNDIT

E bën mirë që i mbledh ministrat e padekretuar ende, qoftë edhe në takime informale, sepse besohet që çdo konsultim apo debat është më mirë se sa t’i dish dhe t’i bësh të gjitha vetë.

Por që i nxjerr në TV dhe prodhon kaq shumë lajme dhe thashetheme për to, kjo nuk shpjegohet dot me logjikë normale.

Sepse të gjithë e dinë se kur qeveria të votëbesohet, nuk do të ketë më, as lajme dhe, as njoftime, si për mbledhjet, ashtu edhe për vendimet e saj. 

Por gjithcka do të rrotullohet dhe qendërzohet rreth asaj që do të thotë dhe më pas do të ekzekutojë “timonieri” i vetëm i Republikës së Re. Marrëveshja e 18 majit ia bëri edhe këtë të mirë Shqipërisë. I shtoi ndriçimin dhe frymëzimin udhëheqësit.

Ky është rasti i vetëm në botë, kur seancave stërvitore të një skuadre i jepet më shumë rëndësi se sa ndeshjes.

Ndaj mbajini mend mirë këto pamje, se mund të jetë hera e fundit që i shikoni ato burra dhe gra si ministra, pavarësisht se me veshje jozyrtare, duke hyrë e dalë, jo nga zyrat e shtetit, por prej hoteleve turistike.

Që prej të hënës ata mund të kthehen të gjithë në identitet, si figurantë të një qeverisje tërësisht personale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat