Tjetër pakt Rama-Basha për reformën zgjedhore? Kryeministri: Të shohim

Shqipëria

Tjetër pakt Rama-Basha për reformën zgjedhore? Kryeministri: Të shohim

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 15:04
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Reforma zgjedhore duket se do të kërkojë një tjetër pakt Rama-Basha. Një fakt të tillë e la të kuptohej vetë Kryeministri.

Rama: Kjo mbetet për t’u parë, për t’u diskutuar. S’kam ndonjë paragjykim për këtë, pavarësisht se ka pasur disa probleme, por marrëveshja dhe ajo çfarë solli është një e mirë e madhe pasi ka prodhuar zgjedhjet më të qeta dhe më të lira.Që nga fakti që territori nuk u ndot me flamuj e postera. Njerëzit e kanë vlerësuar marrëveshjen. S’kam ndonjë kundërshti që ta shohim edhe këtë.

I pyetur nëse pakti i 18 majit ka të planifikuar ndryshim të sistemit zgjedhor, ai u shpreh:

Rama: Nuk kemi planifikuar asgjë kur kemi nënshkruar marrëveshjen, thjesht kemi qenë në një mendje dhe unë vazhdoj të jem në atë mendje, që ka disa çështje të zgjedhjeve që duhet të adresohen dhe për këtë kërkohet një reformë.Kjo është një temë e hapur dhe kur kemi folur për ndryshimet kushtetuese nuk kemi pasur parasysh vetëm zgjedhjet. Në këtë aspekt shpresoj që opozita të jetë e arsyeshme dhe e gatshme të vazhdojmë në këtë linjë. Nëse do të shfaqet përsëri siç ka qenë këto katër vjet do të jetë një lajm shumë i keq për vendin dhe cilësinë e jetës politike. Por do jetë një lajm shumë i mirë për PS, në kuptimin më të ngushtë të fjalës.

Keni parasysh dhe LSI, do jenë në kurriz të saj ndryshimet?

Rama: Kurrizi i LSI nuk është asnjëherë pikë referimi për gjëra të mëdha sepse nuk ka qenë asnjëherë pavarësisht se çfarë thuhet, qëllimi që të bëjmë gjëra të caktuara duke matur sa e ka kurrizin LSI. Sa i përket përfilljes ne do të përfillim çdo deputet të cilësdo parti që është në parlament dhe do bëjmë çmos të garantojmë një ndërveprim sa më të mirë. Se çfarë opozite do jetë LSI mbetet për tu parë. Nuk është njësoj si PD, është tjetër lloj qënie dhe ka një terësi arsyesh pse LSI është në opozitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat