Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të humbasë kohë pas nisjes së punimeve të Kuvendit ditën e nesërme.
Siç bëjnë të ditur mediat, stafi i ri në Kuvend dhe grupi parlamentar socialist po përgatiten që të përfundojnë sa më shpejt të gjithë procesin e miratimit të qeverisë së re.
Burimet bëjnë të ditur se për të hënën janë përcaktuar dy seanca.
Në të parën, paradite, do të prezantohet Qeveria e re dhe programi për katër vitet e ardhshme.
Ndërsa në të dytën, pasdite, do të bëhet votimi i Qeverisë.
Nëse gjithçka në raport me Presidentin Meta do të shkojë mirë, të mërkurën mund të bëhet betimi i ministrave të rinj, të cilët pas këtij akti do të marrin zyrtarisht detyrën.