‘Fole terrorizmi’, armë, drogë?! Harrojini! “Skan” nxënësve për të hyrë në shkollë

Shqipëria

‘Fole terrorizmi’, armë, drogë?! Harrojini! “Skan” nxënësve për të hyrë në shkollë

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 15:18
Ilustrim

Të hënën nis viti shkollor në Shqipëri për ciklin fillor dhe të mesëm. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka firmosur një urdhër të detajuar për masat që duhet të marrin uniformat blu për të parandaluar ngjarjet e rënda kriminale pranë ambiente të shkollës. Parashikohet që nxënësit të kontrollohen para se të hyjnë në ambientet e shkollës, nga roja në portën hyrëse dhe nën mbikëqyrje të stafit pedagogjik. Kështu, sipas urdhrit, do të luftohet mbajtja e armëve apo sendeve të ftohta në ambientet e brendshme. Do të mbyllen lokalet me pije alkoolike pranë shkollave, që shpesh shërbejnë edhe për shpërndarje të lëndës narkotike dhe mbledhjen e personave me precedentë penalë.

Njoftimi zyrtar

Në lidhje me kërcënimet për sulme të mundshme terroriste në vend, në planet e masave do të ketë prani të shtuar të prezencës policore në ambientet e shkollave në përgjithësi dhe në veçanti shkollat e huaja me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal apo terrorist në këto ambiente.

Urdhri parashikon që drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, komisariateve/stacioneve të policisë, të studiojnë e vlerësojnë situatën  kriminale dhe vendosin shërbimet policore për kontrollin e territorit. Gjithashtu sipas një plani masash, caktohen punonjësit e policisë që do të ngarkohen me shërbime për garantimin e rendit e sigurisë publike në shkollat 9-vjeçare, mesme dhe ato të larta. 

Komisariatet për shkollat që kanë në juridiksion, për orët më të ngarkuara të pikut të lëvizjes dhe të problemeve të mundshme, të sigurojnë prezencë policore me shërbimet e kontrollit të territorit, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve,  të institucioneve që kanë një shërbim të tillë.

Strukturat për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda do të punojnë për identifikimin e personave me këto tendenca, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale të cilat cënojnë sigurinë dhe mbarëvajtjen normale të aktivitetit në këto institucione. 

Urdhri parashikon bashkëpunimin me drejtuesit e institucioneve arsimore publike dhe të pushtetit vendor për shkëmbimin e mendimeve, përcaktimin e detyrave dhe masave të përbashkëta, për rritjen e nivelit të sigurisë publike.

Policia Rrugore do të kufizojë apo ndalojë parkimet, qëndrimet dhe lëvizjet e automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.

Në bashkëpunim me njësitë vendore do të punohet për vendosjen e sinjalistikës përkatëse vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve e këmbësorëve.

Gjithashtu do të mbyllen lokalet e tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë janë pika të grumbullimit të personave me precedent kriminal.

Policia do të shkëmbejë informacione me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Policia do të vlerësojë maksimalisht rastet e telefonatave për vendosje të lëndëve plasëse apo bombave të ndryshme në ambientet, godinat e shkollave dhe të veprohet në kohën e duhur për evakuimin e nxënësve dhe kontrollin e imtësishëm nga njësitë e specializuara për këtë qëllim. Në rastet e njoftimeve të rreme, në bashkëpunim me Prokurorinë të punohet për zbulimin, identifikimin e telefonuesve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. 

Specialistët për krimet dhe ndihmës specialistët e policimit në komunitet do të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në shkolla si të bordit të prindërve, të senatit të nxënësve, etj, duke diskutuar dhe trajtuar problemet apo shqetësimet që lidhen me sigurinë publike në këto institucione.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat