Vettingu në duart e ndërkombëtarëve, ja 8 vëzhguesit e procesit

Shqipëria

Vettingu në duart e ndërkombëtarëve, ja 8 vëzhguesit e procesit

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 09:32
Foto ilustrim

Zyra e delegacionit të BE-së në vendin tonë ka bërë të ditur dje se duke nisur nga kjo javë do mbërrijnë në Tiranë vëzhguesit ndërkombëtarë të procesit të vettingut. Ata janë 7 europianë dhe 1 amerikan, ndërsa shumica e tyre kanë shërbyer më parë në Kosovë. Roli i ndërkombëtarëve, i barabartë me anëtarët e institucioneve të vettingut

Zgjedhja nga Kuvendi i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Pavarur të Apelimit, komisionerët publikë përbën vetëm gjysmën e trupës që do të bëjë kontrollin e figurës dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendin tonë. Kjo pasi që këto institucione të reja të nisin nga funksionimi për të përmbushur detyrat e tyre ligjore duhet që më parë të vijnë edhe pjesa tjetër e atyre që do të bashkërendojnë procesin e vettingut, vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorit.

Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë ka bërë të ditur dje nëpërmjet një deklarate për mediat faktin se që nga kjo javë, vëzhguesit e emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për mbikëqyrjen e procesit të vettingut do të vijnë në Shqipëri për detyrën e tyre afatgjatë. BE bën të ditur se vendosja në Tiranë e gjithë ekipit prej tetë vëzhguesish (shtatë nga gjyqësorët e shteteve anëtare të BE-së dhe një nga gjyqësori i SHBA-ve) do të përfundojë gjatë javëve të ardhshme. Krahas 8 vëzhguesve në vendin tonë bashkë me ta do të mbërrijë edhe një staf ndihmës për kryerjen e detyrave siç parashikohen në ligjin e vettingut.

Vëzhguesit

Në përfaqësinë e vëzhguesve ndërkombëtarë dominojnë europianët, pasi nga 8 anëtarë 7 prej tyre janë nga vende të ndryshme europiane dhe vetëm njëri vjen nga SHBA. Siç edhe shihet nga CV-të e publikuara nga delegacioni i BE-së bëhet fjalë për ekspertë të ligjit dhe që kanë mbajtur pozicione të rëndësishme dhe të larta në sisteme të ndryshme drejtësie, por ku bie në sy fakti që shumica e tyre kanë shërbyer në Kosovën e pasluftës. Listën e vëzhguesve e kryeson Theo Jacobs, i cili kohët e fundit përfundoi mandatin e tij si drejtor i Zyrës Qendrore për sekuestrimin dhe konfiskimin dhe aktualisht është duke punuar si prokuror në Gjykatën e Apelit të Brukselit. Ai ka qenë anëtar i gjyqësorit kombëtar belg që nga viti 1982, ku ka punuar në role të ndryshme, si prokuror në Gjykatën e Qarkut në Leuven, nënkryetar i Kabinetit të Belgjikës, ministër i Drejtësisë dhe Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Apelit të Brukselit.

Ai ka qenë i përfshirë në një numër aktivitetesh ndërkombëtare, duke përfshirë kontributin në nismat e BE-së si Shef i Seksionit të Sundimit të Ligjit në EUPOLCOPPS, kryeprokuror në misionin e EULEX – it në Kosovë. Lista e vëzhguesve vazhdon me Ferdinando Buatier de Mongeot, i cili aktualisht është gjyqtar penal për hetimet paraprake në Gjykata e Comos në Itali. Ai ka qenë anëtar i gjyqësorit italian që nga viti 1999, ku ka shërbyer në poste të ndryshme si gjyqtar, më së fundi në Gjykatat e Aosta dhe Como. Edhe ai është përfshirë në shumë aktivitete ndërkombëtare dhe nismat e bashkëpunimit në vendet e treta, duke përfshirë kontributin e iniciativave të BE-së si një gjykatës ndërkombëtar në nivelin e Gjykatës së Qarkut për EULEX-in Kosovë.

Elka Ermenkova është gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën Supreme të Kosovës që nga janari 2012, ku gjykon ankesat dhe mjetet juridike të jashtëzakonshme për rastet penale të profilit të lartë si korrupsioni, krimi i organizuar dhe krimet e luftës. Në vitin 2012-2013, ajo ka qenë e angazhuar me procese pronësore, që rrjedhin nga konflikti i Kosovës nga 1998-1999. Ajo është anëtare e Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit EULEX në Kosovë. Më parë ajo ka qenë gjykatëse në Bullgari, midis 2008 dhe 2011 si eksperte për Sundimin e Ligjit, ajo ishte e angazhuar me zhvillimin e operacioneve të menaxhimit të krizave civile të BE-së në vende të ndryshme. Ermenkova ka diplomë master në Administrimin e Gjykatave nga Universiteti i Denverit në Denver, Kolorado, SHBA dhe Diplomë Master në Drejtësi nga Universiteti i Perëndimit Jugor Neophit Rilski në Bullgari.

Një tjetër vëzhgues është Branko Hrvatin, i cili sapo ka përfunduar mandatin e tij dymbëdhjetëvjeçar si President i Gjykatës Supreme i Republikës së Kroacisë. Nga viti 2001 deri në 2004, ai ishte anëtar dhe nënkryetar i Këshilli Gjyqësor Shtetëror. Në qershor të vitit 2014 ai u zgjodh nënkryetar i Rrjetit të Presidentëve të Gjykatave Supreme të Gjykatave të Bashkimit Europian. Hans Kijlstra është gjykatës në gjykatën e rrethit të Amsterdamit që nga viti 2002. Që nga viti 2011, Hans Kijlstra punon si gjyqtar penal. Ai ngriti dhe kryesoi dhomën e specializuar për trafikimin e qenieve njerëzore për 3 vjet. Ai aktualisht është kryetar i dhomës për ekstradime dhe urdhër arresti europian. Mia Roessingh-Bakels filloi karrierën e saj në vitin 1978 si bashkëpunëtore në një firmë ligjore ndërkombëtare në Rotterdam, pas përfundimit të studimeve të saj të drejtësisë në Universitetin Leyden. Ajo filloi punën e saj në gjyqësinë holandeze në vitin 1982 si një bashkëpunëtore e Byrosë shkencore e Gjykatës Supreme të Holandës. Ajo u bashkua me zyrat e Prokurorisë në Prishtinë në vitin 1986 dhe ka punuar për gjashtëmbëdhjetë vjet si Prokurore Publike në shkallë të parë dhe dy vitet e fundit si Avokate e Përgjithshme në Gjykatën e Apelit. Që nga viti 2002, ajo është gjykatëse në seksionin kriminal të Gjykatës së Apelit në Arnhem. Që nga viti 2002, ajo është zëdhënëse për Gjykatën e saj dhe ka qenë për pesë vjet kryetare e Asamblesë holandeze të gjykatësve të shtypit. Ajo është një eksperte për çështjet që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe mediat.

Marie Tuma është vëzhguesja e shtatë europiane që do të mbërrijë në Shqipëri. Ajo aktualisht punon si gjyqtare penale në kuadër të misionit të EULEX-it për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Më parë ka qenë drejtoreshë e Institutit Raoul Wallenberg, Suedi, ku menaxhoi të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Kjo organizatë ka zyra në terren në mbarë botën dhe një ndër arritjet kryesore të saj ishte edukimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të ligjit në vendet në zhvillim në një shkallë globale. Ajo ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës për krimet e luftës, e dërguar nga Suedia. Ajo ka punuar si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, në nivel të lartë politik. John S. Leonardo është përfaqësuesi amerikan në misionin e vëzhgimit të vettingut në vendin tonë dhe u nominua në vitin 2012 nga Presidenti dhe u konfirmua nga Senati për të shërbyer si Prokurori i Shteteve të Bashkuara për Arizonën. Ai shërbeu si prokuror i lartë federal për atë shtet deri në janar 2017. Para se të konfirmohej si Prokuror i Shteteve të Bashkuara, Leonardo shërbeu si një gjyqtar i Gjykatës së Lartë për Pima County, nga 1993 deri në 2012. Ai është diplomuar nga Universiteti i Notre Dame në 1969 dhe nga Shkolla Juridike e Universitetit të Xhorxh Uashingtonit në vitin 1972.

Roli i vëzhguesve

Ligji i vettingut nuk bën një përcaktim të qartë për mënyrën se si zgjidhen vëzhguesit ndërkombëtarë të vettingut dhe cili do jetë roli i tyre në këtë proces. Ligji flet për vëzhguesit ndërkombëtarë që në nenin 5 të tij, ku përcakton se “Procesi i vlerësimit të subjekteve të rivlerësimit kryhet nga Komisioni, Kolegji i Apelimit, komisionerët publikë, në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtarë”. Pra, ky nen përcakton vëzhguesin si pjesë e hallkës që do bëjë vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por nuk jep asnjë të dhënë se si do bashkëpunojë në këtë drejtim. Për rolin e vëzhguesit ndërkombëtar flet edhe neni 17 i këtij ligji, i cili teksa përcakton se çdo vëzhgues ndërkombëtar mund të kërkojë fillimin e hetimit disiplinor ndaj çdo anëtari të institucioneve të rivlerësimit. Jo vetëm kaq, por në këto raste vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të presë edhe raportimet nga publiku për shkeljet disiplinore të anëtarëve të institucioneve të vettingut.

Gjithashtu, vëzhguesve ndërkombëtarë në nenin 33 u jepet e drejta për të patur akses të plotë për të kërkuar nga ILKPKI informacion, të kopjojnë apo të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura nga gjyqtarët dhe prokurorët apo të personave të lidhur me ta. Po ashtu, anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit, ndërkohë që gjatë hetimit administrative ata mund të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike dhe administrojnë dokumentet që vërtetojnë veprime, fakte, cilësi ose një situatë subjektive të nevojshme për realizimin e hetimit. Jo vetëm kaq, por në nenin 49 të ligjit përcaktohet se një mendim me shkrim i dhënë nga vëzhguesit ndërkombëtarë konsiderohet një përfundim i dhënë për një rrethanë konkrete gjatë procesit të rivlerësimit ose që rezulton nga faktet në çështje të veçanta. Mendimi në këtë rast mund të ndikojë në vendimmarrjen e Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit, por nuk ka vlerën e provës. Ashtu si Komisioni, Kolegji i Apelimit edhe vëzhguesit ndërkombëtarë bashkëpunojnë me organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë, vendës ose të huaj, për të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e deklarimeve të bëra nga subjektet e rivlerësimit, ndërsa u jepet akses i plotë  në të gjitha të dhënat, pranë Prokurorisë së Posaçme.

Pra, siç shihet roli i tyre është thuajse i barabartë me atë të vetë institucioneve shqiptare të vettingut, çka e bën këtë proces të dyzuar mes rolit të shqiptarëve atyre të huajve. Në fakt ky është një legjitimim i shqetësimit që pati gjatë bërjes së reformës opozita, e cila kundërshtoi rolin vendimmarrës të ndërkombëtarëve në këtë proces.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat