Përplasja te Ligjet/ PS bëhet pishman, u ul rrogat dhe stafin anëtarëve të vetingut

Shqipëria

Përplasja te Ligjet/ PS bëhet pishman, u ul rrogat dhe stafin anëtarëve të vetingut

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 08:18
Mbledhja

Komisioni i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e deputetëve të PS strukturat e tri institucioneve të vetingut, por duke mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat e drejtuesve të këtyre institucioneve të rëndësishme që do të kryejnë vetingun e sistemit të drejtësisë.

Nga 185 punonjës që kërkuan së bashku tri institucionet e vetingut, socialistët në Komisionin e Ligjeve i kanë shkurtuar 72 punonjës, duke ia lënë strukturat me gjysmat e stafeve.

Por edhe pse titullarët e institucioneve të vetingut, që janë institucione të pavarura kushtetuese, kanë deklaruar se po u cenohet efektiviteti dhe pavarësia në ushtrimin e detyrës, deputetët e PS në komision “bënë si deshën”, duke miratuar vetëm me votat e tyre organikën e reduktuar si në staf, edhe në paga.

E vetmja votë që devijoi ishte ajo e ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili nuk e ngriti dorën kur votuan kolegët e PS për shkurtimin e numrit të punonjësve.

Përfaqësuesja e institucionit ka akuzuar se me këtë reduktim cenohet puna e kolegjit. Në krah të kërkesës ka dalë edhe PD, e cila ka akuzuar shumicën se po shkurton stafin për Vetingun, pasi nuk e ka përparësi.

Ja debati në video: 

DISKUTIMI

Krerët e institucioneve të vetingut ngritën dje shqetësim në Komisionin e Ligjeve se po cenonin punën e këtyre institucioneve që ngrihen për herë të parë. Kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, u ka bërë të qartë se anëtarët e kësaj trupe nuk kërkonin luks, por një strukturë funksionale.

Mulaj u ka kujtuar deputetëve socialistë se ishin ata që kanë bërë ligjet dhe kanë premtuar se do të kenë mbështetje për procesin e vetingut.

“Ne kemi propozuar një strukturë dhe jemi mbështetur në ligj, që e keni krijuar ju vetë, jo ne. Ne e kemi reduktuar aq sa nuk mundemi më ta reduktojmë personelin. Ne nuk duam luks. Ne duam strukturë që të jetë procesi më efikas. Po e reduktuat dhe e çuat në këtë numër strukturën e Kolegjit të Apelimit, unë mendoj se ju po cenoni pavarësinë, ju po cenoni procesin efikas të punës së Kolegjit të Apelimit”, ka thënë Mulaj.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe përfaqësuesi i komisionerëve publikë, Florian Ballhysa, i cili ka shprehur habinë për shkurtimin me 50% të strukturës së këtij institucioni.

“Ka shkurtim prej 50% të personelit që është kërkuar nga ana jonë, shikojmë që është shkurtuar muskuli i këtij organi, që është njësia e shërbimit ligjor, nga 12 këshilltarë juristë dhe ekonomistë, e keni ulur në 6 këshilltarë. Referimi i pagës G3 te ky projektvendim, kam frikë se ky duhet të rishikohet për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017”, ka thënë Ballhysa.

Ndërkohë që kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Bungo, tha se institucioni i saj do të propozojë shtesa të stafit, kur të hartohet buxheti i ri i 2018-s. Bungo tha se komisioni i saj mund ta nisë punën me shkurtimet që i ka bërë Parlamenti, por gjithmonë duke ruajtur të drejtën që të kërkojë rishtim të personelit.

PAGAT PËR VETINGUN

Gjatë mbledhjes së djeshme, relatorja e PS, Klodiana Bushka, zbuloi se sa do të jetë paga e anëtarëve të Komisioneve të Vetingut. Sipas saj, paga për secilin do të jetë 302 mijë lekë të rinj në muaj bruto, pa llogaritur dhe shtesën në bazë të vështirë- sisë së punës.

Por për Vasilika Hysin, anëtarët e institucioneve të vetingut kanë kërkuar paga të larta. “Kërkohet që një komision publik të marrë 10 milionë lekë të vjetra në muaj. Këshilltarët të marrin 80% të pagës mbi 3 milionë lekëshin. Kolegji i Apelimit kërkon këtu një pagë prej 11 milionë lekësh të vjetra për person në muaj. Paga është shumë e rëndësishme dhe do kenë pagë shumë të mirë, se janë institucione të rëndësishme. Por fakti që Kuvendi i përcakton pagën Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë nuk tregon se i kemi vënë në varë si ato”, tha Hysi.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit kërkoi 65 punonjës në strukturë

Komisioni i Ligjeve i miratoi vetëm: 37 Iu shkurtuan: 28 punonjës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkoi 68 punonjës në strukturë Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm: 50 Iu shkurtuan: 18 punonjës

Komisionerët publikë kërkuan 52 punonjës në strukturë Komisioni i Ligjeve u miratoi vetëm 26 Iu shkurtuan: 26 punonjës

Ndryshojnë frontet, PD mbështet vetingun: T’u rriten pagat dhe stafi

Partia Demokratike do të propozojë në Kuvend një amendament në strukturën e tri institucioneve të vetingut, duke u shtuar numrin e këshilltarëve ligjorë dhe ekonomikë në organikën e tyre. Propozimi është bërë dje në Komisionin e Ligjeve nga nënkryetari Eduard Halimi.

Ai ka kërkuar që të tria institucionet të kenë më shumë ekspertë financiarë dhe ligjorë, pasi puna e tyre do të konsistojë në verifikimin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve. “Për shkak të volumit të punës dhe faktit që procesi është i limituar në kohë, vlerë- sojmë se numri i punonjësve të Njësisë së Shërbimit Ligjor duhet të jetë më i lartë (gjithsej 69 punonjës, nga 42 punonjës që propozohet). Sipas ligjit, këshilltarët e kësaj strukture ushtrojnë veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës.

Për pasojë, propozimi ynë është si më poshtë: a) Njësia e Shërbimit Ligjor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të përbëhet nga 36 punonjës, nga të cilët 24 këshilltarë ligjorë dhe 12 këshilltarë ekonomikë.

Në këtë mënyrë sigurohet që secili anëtar i KPK-së të ketë një këshilltar/ ndihmës për secilin nga komponentët e rivlerësimit. b) Njësia e Shërbimit Ligjor në Kolegjin e Apelimit të përbëhet nga 21 punonjës, nga të cilët 14 këshilltarë ligjorë dhe 7 këshilltarë ekonomikë. c) Njësia e Shërbimit Ligjor të Komisionerit Publik të përbëhet nga 12 punonjës, nga të cilët 8 këshilltarë ligjorë dhe 4 këshilltarë ekonomikë”, ka thënë Halimi. Po ashtu, demokratët mbështesin propozimin për shtimin me 200% të pagës së anëtarëve të Komisionit të Vetingut, kjo për shkak të vështirësive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat