Rama pranon ekzistencën e bandave në Elbasan: Ai qytet duhet çliruar

Shqipëria

Rama pranon ekzistencën e bandave në Elbasan: Ai qytet duhet çliruar

Më: 29 shtator 2017 Në ora: 00:01
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka pranuar ekzistencën e bandave kriminale në Elbasan, gjatë fjalës së tij në Parlament mbrëmjen e sotme.

Duke ju përgjigjur kryetarit të PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Edi Rama tha:

“Ne jemi në proces operacioni në Elbasan, ai operaicon nuk mbaron pa u vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që janë të përfshirë, qofshin forca të policisë dhe qofshin forca të organizatave, jam dakord që ai qytet duhet çliruar. Por jo të gjitha do të bëhen publike sepse është një operacion në vazhdim”.

Rama përmendi gjithashtu edhe operacionin e policisë “Vjeshtë 2017” që po zhvillohet në të gjithë vendin, për sekuestrimin e makinave luksoze dhe pasurive kriminale të pajustifikuara.

“Beteja me krimin ka hyrë në një fazë të re. E kemi paralajmëruar dhe po e implementojmë. Jo vetëm atyre të fortëve me status të veçantë nuk do t’ju ndahemi, le të jenë kush të jenë, le të kenë lidhje me kë të kenë. Nëse janë pjesë e rrjeteve kriminale ne do na kenë këmba këmbës deri në vrimën e fundit. Por përveç atyre, vetëm sot janë miliona euro makina të shtrenjta të sekuestruar”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Duke ndjekur më vëmendje fjalën e Kryeministrit, kryedemokrati Basha tha se Rama ka frikë të përmendë togfjalëshin “organizata kriminale”, por e cilëson vetëm organizata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat