BBC i kushton një transmetim muzikës së mrekullueshme të sazeve shqiptare

Shqipëria

BBC i kushton një transmetim muzikës së mrekullueshme të sazeve shqiptare

Nga: A.M. Më: 1 tetor 2017 Në ora: 08:52
Ilustrim nga BBC

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një transmetim të BBC kushtuar muzikës së mrekullueshme të sazeve shqiptare.

Në këtë transmetim thuhet se “Kur rritesh nën regjimin komunist, në një kënd të izoluar të Europës, bota moderne nuk mbërrin tek ty. Gjërat e veçanta të vendit tënd, të cilave ti u gëzohesh, të formësojnë, mbeten me ty, ato edhe mund të të përndjekin”.

Postimi i plotë:

MIRËMËNGJES

dhe me këtë transmetim të BBC kushtuar muzikës së mrekullueshme të sazeve shqiptare, ju uroj një të dielë të qetë  ????

Kur rritesh nën regjimin komunist, në një kënd të izoluar të Europës, bota moderne nuk mbërrin tek ty. Gjërat e veçanta të vendit tënd, të cilave ti u gëzohesh, të formësojnë, mbeten me ty, ato edhe mund të të përndjekin. Tingujt e adoleshencës sime në Shqipëri, nuk ishin këngët e “The Beatles” apo “Rolling Stones”. Ne kishim kolonën tonë zanore. Ajo që po dëgjoni është një kaba për violinë, një vajtim. Është saze, muzika tradicionale e jugut të Shqipërisë. Kur vendi u hap ndaj botës dy dekada më parë, njerëzit filluan të lëvizin nëpër botë dhe me ta edhe muzika e tyre. Jam takuar me njërin prej artistëve që po e mbajnë gjallë këtë muzikë.

“Quhem Aurel Qirio. Jemi këtu jashtë kishës së Shën Lukës në Barbican Centre ku do të japim shfaqe pas disa javësh”. Aureli është violinisti i parë në një grup muzikantësh shqiptarë që po njihen në gjithë botën. Ata quhen Saz’iso dhe pas dy javësh do të publikojnë një album me pesëmbëdhjetë këngë tradicionale, që do të pasohet nga koncerti i tyre i parë jashtë Shqipërisë, këtu në kryeqytetin e Britanisë. “Kur erdha në Londër para pesë vjetësh, ishim vetëm unë dhe violina, fëmija im. Nuk dija se ku do të luaja me violinën time dhe muzikën e vendit tim. Jam shumë krenar dhe mendoj se njerëzit në Londër do e dëgjojnë me shumë interes këtë muzikë.”.

Por si mundi kjo muzikë saze, që për shumë veta mbetet ende e panjohur, të mbërrijë tek një audiencë botërore?

Joye Boyd është një producent muzikor me famë botërore. Ai ka prodhuar regjistrime për grupe si “Pink Floyd” dhe “Buena Vista Social Club” në Kubë dhe tani e ka kthyer vëmendjen e tij nga Shqipëria. Më takoi në studio me koproducentët e tij, Andrea Gerkler dhe Edit Pula nga Tirana.

Kur filloi ai të pasionohej pas muzikës? “E kam pasur gjithmonë ëndërr të shkoja në festivalin e Gjirokastrës. Çdo pesë vjet në Shqipëri organizohet një koncert i gjithë muzikës kombëtare. Lart në kështjellë, pamje fantastike, me malet rreth e rrotull dhe muret e kështjellës. E kam ditur prej vitesh dhe e kam pasur gjithnjë ëndërr që të shkoja. Herën e parë shkova para tre vjetësh e gjysmë. Dëgjova muzikën dhe u mahnita. Muzika e sazes ishte më e pasura dhe ajo që ia vlente më shumë të regjistrohej dhe të përhapej nëpër botë. Ka vërtet diçka të vetën, diçka të thellë, diçka, nuk e di, tragjike ose më komplekse që sigurisht që mund të pritet nga karakteri shqiptar. Sa më shumë e dëgjon, aq më shumë thellohesh në të, aq më shumë ndjenja, shpirt, më shumë thellësi ndjen dhe veçanërisht isopolifonia është aq mrekullisht komplekse. Mënyra sesi dy zëra improvizojnë, sesi ndërthuren me njëri-tjetrin në arabeskët e kësaj muzike eshtë diçka shumë joshëse. Nuk është se të rrëmben, por të bën për vete”.

Edit është nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë. Si u përfshive në këtë histori, në këtë projekt? “Edhe unë e zbulova këtë muzikë si një e huaj, sepse jetoja në Angli dhe kur u ktheva në Shqipëri vazhdova të zbuloj me tej muzikën tonë. Dhe siç e di, pas periudhës komuniste, muzika popullore konsiderohej totalisht demode. Por ajo ishte diçka shumë familjare e fëmijërisë sonë. Ti je rritur me muzikën popullore si muzika e vetme që mund të dëgjonim në të vetmen radio kombëtare që kishim. – Ajo ishte dhe muzika që shoqëronte stinën e verës, dasmat, të gjitha momentet e gëzuara që kishim gjatë kohës së komunizmit. Në një farë mënyre, ajo është çka na lidh me kujtimet tona të bukura. – Me thënë të drejtën, ajo ishte e vetmja, sepse ne s’e kishim kurrë mundësinë të dëgjonim asnjë muzikë tjetër. Pasi jetova trembëdhjetë vjet në Mbretërinë e Bashkuar, fillova të kuptoj se sa e pazbuluar është muzika shqiptare dhe ndaj fillova gradualisht dhe me mjete shumë modeste që t’i kthehesha asaj dhe të bëja diçka.”

Në një farë mënyre ishin muzika, tingujt e muzikës nga Jugu i Shqipërisë që i bashkuan. Joe, ti ke ardhur këtu me bashkëshorten tënde, Andrean. Muzika shqiptare është bërë si diçka shumë personale për ty, apo jo? – Po, ashtu është, sepse ne u martuam gjatë realizimin të këtij projekti dhe në një farë mënyre muzika shqiptare është kolona zanore e asaj ngjarjeje. Mendoj se jemi dakord se që të dy pëlqejmë këngën e tretë në listë, “Penxherene e zotërisë sate”, për dramën që mbart. Edhe pse flet për një djalë adoleshent, i cili i lutet vajzës që jeton në shtëpinë ngjitur që t’i japi shaminë. Zërat e grave tregojnë historinë dhe nuk është e nevojshme të kuptosh fjalët për të ndjerë emocionin”.

Edit, po të kthej pas në kohë. Shqiptarët kanë filluar të udhëtojnë. Njerëzit kanë filluar të dëgjojnë për Shqipërinë, për kulturën, për muzikën. A ka pasur kjo gjë impakt mbi muzikën dhe vendin?” – “Absolutisht! Brezat e rinj kanë filluar ta mësojnë atë, ta kërcejnë, ta praktikojnë. Madje dhe në lokale trendi tani mund të dëgjosh ansamble të muzikës folk që performojnë. Mezi po e prisja këtë ringjallje të muzikës tradicionale shqiptare”. A mendon se ka vend në skenën e muzikës botërore për muzikën shqiptare?” – “Mund ta shohësh të ashtuquajturën skenë të muzikës botërore në mënyrë shumë cinike dhe të thuash se moda ndryshon dhe se prozhektorët spostohen nga mali në tango, në gamelan, zhvendoset sipas një trendi të ri, një zbulimi të ri. Shqipëria tani është nën dritën e prozhektorit. Njerëzit po e ripëlqejnë këtë muzikë, e cila ka ngjallur interes. Sollëm në Tiranë Jerry Boys, inxhinierin e “Buena Vista Social Club” që të regjistrojë këtë muzikë dhe them se tingëllon njësoj, ka po të njëjtën ngrohtësi magjike. Shpresojmë që do të kapi momentin dhe interesi për muzikën të rritet nga anë të ndryshme të Shqipërisë dhe muzika shqiptare do t’i bashkohet standardeve të muzikës botërore, të cilën njerëzit anë e mbanë botës vërtet e respektojnë dhe kanë interes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat