Atentati ndaj të fortit të Selenicës: Arrestohet Llanaj

Shqipëria

Atentati ndaj të fortit të Selenicës: Arrestohet Llanaj

Më: 2 tetor 2017 Në ora: 15:16
Foto nga atentati

Dhjetë persona të dyshuar për atentatin ndaj të fortit të Selenicës u shoqëruan gjatë natës në komisariatin e Vlorës.

Akoma nuk ka të dhëna për autorët e krimit ku u plagosën dy burra dhe një fëmijë, por hetuesit vazhdojnë me dyshimet se ngjarja ka lidhje me masakrën e vitit 2015 në Çole dhe me atentatin e 27 majit të këtij viti, ku u ekzekutuan drejtori i OSHEE Roland Saliu, i cili ndodhej rastësisht me shënjestrën Mirvjen Hyseni, drejtori i një televizioni privat në Vlorë.

Shënjestra e atentatit me pseudonimin ‘Robi’, Ferdinand Llanaj sipas burimeve nga spitali ka marrë 10 plumba, në kokë dhe në trup.

Personi tjetër Dritan Begaj u qëllua me katër plumba, kurse fëmija tetëvjeçar u dëmtua fizikisht, por jo nga plumbat.

Ngjarja ndodhi paraditen e së dielës në rrugën Transballkanike, një zonë e populluar.

Një orë më vonë policia gjeti një BMW të shkrumbuar në rrugën Kafaraj, që lidhet me autostradën Levan- Tepelenë, poshtë një nënkalimi.

Nga kjo makinë dyshohet se u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të Ferdinand Llanajt, që po udhëtonte me një Benz gri.

Image

Ndërsa të martën, Policia e Vlorës e arrestoi Ferdinand Llanajn.

Nga hetimet ka rezultuar se pistoleta model 56 që u gjet pranë automjetit të tij “Mercedes-Benz”, që u sulmua me armë, i përket pikërisht Llanajt.

39-vjeçari iu kundërpërgjigj me zjarr atentatorëve, që janë ende të paidentifikuar.

Ferdinand Llanaj akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve pranë kësaj zone, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fakteve dhe sqarimin e dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në vendngjarje u sekuestruan edhe një makinë tjetër “Renault Clio”, disa celularë dhe një shumë parash prej 1.6 milionë lekë.

Ndërsa në makinën BMW që u gjet e djegur në fshatin Kafaraj të Fierit, grupi hetimor gjeti dy kallashnikovë dhe 3 gëzhoja.  Dyshohet se këto armë janë përdorur në atentatin ndaj Llanajt, ku mbetën të plagosur djali i tij 8-vjeçar B.Llanaj dhe Dritan Begaj 50 vjeç që ndodhej në makinë me të.

Armët do të ekzaminohen, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar atentatorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat