A mund të rikthejë Holanda vizat për Shqipërinë?! Vjen përgjigjja

Shqipëria

A mund të rikthejë Holanda vizat për Shqipërinë?! Vjen përgjigjja

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 21:32
Ilustrim

Holanda nuk mund të rikthejë vizat në mënyrë të njëanshme për Shqipërinë. Kjo, për arsye subjektive, pasi kriminaliteti shqiptar, megjithëse në vëmendje të autoriteteve, nuk është aq i lartë sa përflitet, por edhe për arsye objektive, pasi vendimi i përket Komisionit Europian.

Debati gati njëmujor mes Amsterdamit dhe Tiranës ka marrë përgjigje përfundimtare nga Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë, e cila i është përgjigjur 12 pyetjeve të dorëzuara nga deputetët e “CDA”-së mbi kriminalitetin shqiptar.

“Nëse ka një njoftim të tillë nga një vend anëtar, është Komisioni Europian ai që hulumton, e si pasojë merr vendim të zbatojë apo jo pezullimin e regjimit pa viza. Komisioni Europian e vlerëson problemin e konstatuar sipas interesave të BE-së. Nga vendet anëtare kërkohet miratimi i tyre. Nëse pas një periudhe 9-mujore nuk ka përmirësime, mund të ndodhë pezullimi nëpërmjet një akti që i delegohet Komisionit Europian. Si Këshilli, ashtu edhe Parlamenti Europian mund të kundërshtojnë veprimin e deleguar të Komisionit Europian”.

Ministria holandeze njofton deputetët e CDA-së se, Komisioni Europian ka nisur një monitorim për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me regjimin e vizave.

“Komisioni Europian ka shpallur një monitorim për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky monitorim pritet në fund të këtij viti. Qeveria, në fillim duhet të ketë rezultatet e raportimit, pra me të dhëna konkrete dhe informacion domethënës, konkret dhe objektiv nga autoritetet kompetente, përpara se të marrë në konsideratë një kërkesë drejtuar Komisionit Europian për procedurën e bllokimit të vizave”.

Po ashtu, përgjigjet e Ministrisë së Sigurise dhe Drejtësisë relativizojnë e zbehin akuzat për një numër të madh krimesh nga shqiptarët.

“Numri i incidenteve me persona të nacionalitetit shqiptar është në shifra absolute relativisht i ulët. Brenda kësaj, vlen të thuhet se numri i krimeve të një karakteri të organizuar është relativisht i lartë. Problematika përqendrohet në Amsterdam dhe Roterdam.  Këto aktivitete lidhen me trafikun e drogës, si dhe problematikën e shqiptarëve që futen në kontenierët e ‘Hoek van Holland’ dhe në të tjera zona portuale”.

Qeveria holandeze thotë se bashkëpunimi me Shqipërinë në fushën e ndalimit të migracionit të paligjshëm, kriminalitetit ndërkufitar dhe kthimit të emigrantëve, është i mirë dhe vullneti për bashkëpunim është i madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat