Kokëdhima: T’i përmbysim këta që na kanë marrë peng, me çdo mjet

Shqipëria

Kokëdhima: T’i përmbysim këta që na kanë marrë peng, me çdo mjet

Më: 7 tetor 2017 Në ora: 09:53
Kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima

Kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, deklaroi se nuk ishte penduar për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, madje nuk do të përfshihet në zgjedhje të tjera që nuk paraprihen nga reforma zgjedhore, që do t’i clironte zgjedhjet nga thonjtë  e dy-tre kryetarëve. Ai deklaroi se armiqtë e zgjedhjeve të lira i di gjithë Shqipëria dhe ata janë Rama, Saliu, Rilindja dhe PD-ja.

Z.Kokëdhima! Po të ktheheshim në kohë, para zgjedhjeve, keni ndryshuar qëndrim që nuk u përfshitë në zgjedhje?

Ne bëmë thirrje për bojkot dhe nuk jemi penduar për këtë. Nuk ishte një qëndrim i nxituar, por ishte i menduar. E para: Ne ishim të kushtëzuar nga situata kur opozita e vendit ishte në çadër, në një protestë që zgjati 90 ditë, dhe kur ishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Atëherë kemi bërë dy kushtëzime. Së pari thamë që ne nuk përfshihemi në zgjedhje që nuk janë gjithëpërfshirëse, sepse vendi nuk mund të bëjë zgjedhje pa opozitën, sepse ato nuk prodhojnë stabilitet, zhvillim, as zgjedhje, nuk përmbushin as qëllimin dhe shndërrohen nga festa që duhet të jenë për popullin në burim fatkeqësie dhe konfliktesh. Kështu që ne kishim vendosur që në zgjedhje të tilla nuk do të hynim dhe kjo vlen edhe për të ardhmen. Ne nuk do të përfshihemi në zgjedhje edhe në të ardhmen nëse përjashtohet opozita në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim ose në mënyrë të tërthortë, përmes veprimeve ose mosveprimeve nga qeveria. Kushtëzimi ynë i dytë ishte se ne nuk shkojmë në zgjedhje pa standarde, në zgjedhje që nuk paraprihen nga reforma zgjedhore që do t’i çlironte përfundimisht ato, sepse Shqipëria nuk bën zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Europë që nuk bënë dot zgjedhje me standarde. Këto dy kushte që ne kemi vendosur qëndrojnë edhe sot. Edhe sot ne jemi në të njëjtin qëndrim, sot e në të ardhmen. Politika jonë është e tillë që ne duam çlirimin e zgjedhjeve me qëllim që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira.

Me duket se kjo nuk i ka prishur aspak punë kryeministrit Rama dhe PS-së për t’u rimandatuar edhe me më pak vota se ç’mori më parë dhe për të qeverisur e vetme me një pakicë shqiptarësh që e mbështetën krahasimisht me pjesën tjetër?

Unë nuk kam qëllim të mendoj për interesat Ramës dhe një grushti të vogël njerëzisht, klientët e tij me të cilët ai ushtron dhe ndan pushtetin dhe të mirat e tij. Ne nisemi nga pozitat e interesit të popullit shqiptar, nisemi nga parimet e larta dhe nga standardet që duhen të respektojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe nga fakti se, a i shërbejnë këto zgjedhje çuarjes përpara të demokracisë, ai i shërbejnë këto zgjedhje të drejtës së elitës politike, ai i shërbejnë këto zgjedhje përmirësimit të cilësisë së përfaqësuesve dhe lirisë së konkurrencës së individëve, që burrat dhe gratë më të mirë dhe më të zotë të vendit të shkojnë në drejtim e punëve të shtetit, të popullit, të institucioneve, apo jo. Ramës nuk i prishet punë edhe sikur mos të bëjë zgjedhje fare. Madje, ai është më i lumtur edhe sikur mos të bëjë zgjedhje fare, por ne do të nisemi nga interesi publik.

Ndoshta duhet të rregulloni pak shënjestrën e të bërit opozitë, z. Kokëdhima?

Mendoj se jemi shumë të qartë dhe e kemi shënjestrën ashtu siç duhet. I kemi shenjuar armiqtë e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, në zemër e në ballë.

Kush janë armiqtë?

Armiqtë e zgjedhjeve të lira i di gjithë Shqipëria. Janë Rama, Saliu, Rilindja dhe PD-ja. Sigurisht që ka edhe bashkëpunëtorë të tyre, ka edhe anëtarë të tjerë të “tepsisë” që janë armiq të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto i kanë degjeneruar zgjedhjet në Shqipëri, në këto 25 vjet. Partia Demokratike fillimisht e hapi kulturën e vjedhjes, manipulimit, blerjes dhe dhunimit të zgjedhjeve dhe PS-ja, e udhëhequr nga Edi Rama, e sofistikoi dhe e çoi edhe më larg këtë çështje. Sot zgjedhjet janë të marra peng në Shqipëri. A ripërtërihet elita politike përmes zgjedhjeve? Jo, nuk ripërtërihet! Çdo vend demokratik në botë i ripërtërin elitat politike. Nuk ndodh që një vend për 30 vjet të ketë një apo dy udhëheqës.

Përjashto Gjermaninë, Rusinë, apo Turqinë…

Gjermania ka një koalicion partish që qeverisin. Në fakt për të katërtën legjislaturë rresht ka një koalicion partish dhe jo një parti e vetme që qeveris. Është superfuqia e Europës dhe një nga fuqitë më të mëdha të botës. Flasim për gjëra krejtësisht të ndryshme, nuk flasim për një vend që lëngon në skamje. Është një vend tërësisht demokratik, me standarde të larta të ligjit dhe të demokracisë. Ku ta gjenim ne të ishim si Gjermania, qoftë në zgjedhje, qoftë në ushtrimin e pushtetit, qoftë në zhvillim. Ku ta gjenim ne që të kishim udhëheqës që ta bënin Shqipërinë jo sa Gjermania por thjeshtë sa një e mijta e saj, të përmirësonim gjërat çdo vit dhe ne do i linim të na qeverisnin deri sa të vdisnim, do i shpallnim mbretër nëse do na qeverisnin siç qeveris klasa politike gjermane.

Ju me të drejtët përmendët në gjykimin tuaj PS-në dhe PD-në si dy forcat kryesore të cilat më së shumti në këto 27 vite nuk kanë dashur të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për më tepër po t’i rikthemi vitit 2008 këto dy forca politike miratuan së bashku ndryshimet për reformën zgjedhore. Ka gjasa që pikërisht këto dy forca politike të bëjnë të njëjtën gjë ndërkohë që do diskutohet këto ditë reforma zgjedhore dhe çfarë do të bëni për ta ndaluar që të mos rikthehemi në të njëjtën situatë?

Kur flasim për PD-në dhe për PS-në, kur flasim për Rilindjen, duhet të bëjmë një diferencë të qartë mes lidershipit  dhe bazës së tyre. Nuk është anëtarësia e këtyre partive ajo që ka prishur zgjedhjet në Shqipëri. Edhe pse unë dëshiroj ta shfrytëzoj këtë komunikim publik me ju për të përcjellë mesazhin se janë shumë njerëz të thjeshtë të Shqipërisë përgjegjës për këtë katastrofë në të cilën ndodhet Shqipëria. Ka shumë servilë të pushtetit në Shqipëri, ka shumë servilë të kryetarëve të partive, edhe në të majtën, edhe në të djathtën, dhe ka shumë njerëz të thjeshtë që, për një interes fare qesharak, shesin interesat e shtetit, të vendit, të komunitetit dhe në fund të fundit, në terma afatmesme dhe afatgjata shesin dhe tradhtojnë interesat e larta të fëmijëve të tyre, të brezave që vijnë në Shqipëri. Unë i bëj apel popullit që të përmirësohet, të marrë përgjegjësi për fatet e veta, të mos vazhdojë t’i bëjë fresk këtyre politikanëve që e kanë marrë në qafë këtë vend, të mos i serviloset këtyre, por të bëjnë rezistencë. Edhe ata të partive politike të mos u servilosen kryetarëve, por të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të marrin në dorë fatet e familjeve dhe vendit të tyre. Po nuk u rregullua Shqipëria, nuk do të rregullohen familjet e tyre. Edhe ata njerëz që do të bëjnë sukses, nuk do të kenë familje se do të ikin fëmijët e tyre. Edhe ata që bëjnë korrupsion do të mbesin këtu si kukudh të vetmuar, do të mbeten pleq të vetmuar në një vend të varfër dhe të falimentuar. Prandaj është koha që t’i thërrasin ndërgjegjes të gjithë. Unë nuk i bëj bashkë njerëzit e partive politike me lidershipin. Kryetarët e partive, Edi Rama, Saliu dhe të tjerët nuk përfaqësojnë anëtarësinë e tyre.

Ata thjeshtë e kanë shkelur anëtarësinë e partive të tyre, e kanë gjunjëzuar, e kanë eliminuar si zë, si mendim dhe e kanë kthyer thjeshtë në lolo, në mbështetës vetëm të interesave të tyre. Nuk janë kryetarët e partive që i kanë marrë peng zgjedhjet vetëm për pushtetin e tyre personal. Ata e kanë kapur Shqipërinë, partitë, qeverisjen, institucionet e shtetin dhe këtu nuk ka as liri ekonomike, as politike. Ka liri politike këtu? Jo! Ka të drejtë ndonjëri të zgjidhet deputet sepse i pëlqen atij? Jo! Deputet zgjidhet vetëm ai që do kryetari i Partisë Demokratike, i Partisë Socialiste, apo kryetari i LSI-së. Nuk futesh në asnjë listë, nëse nuk do kryetari. S’ka asnjë garanci që të përmbushet për ndonjë individ e drejta kushtetuese e Shqipërisë që thotë se “Ke të drejtë të zgjidhesh dhe të zgjedhësh lirisht”. Kjo nuk vlen në Shqipëri, sepse kryetarët e partive e kanë zhbërë këtë liri kushtetuese. Kanë zëvendësuar pushtetin e ligjit e të kushtetutës me pushtetin dhe fuqinë  e tyre personale. Prandaj ata i japin hapësirë vetëm servilëve dhe ata që punojnë për pushtetin e tyre personal. Çfarë do të bëjmë ne? Duhet ta zhbëjmë këtë!

Çdo tender e ndan kryeministri me ekipin e tij të ngushtë

Konstatimi është shumë i zymtë, z. Kokëdhima, por duhet të vijmë tek zgjidhja. Është i zymtë, por, fatkeqësisht, ka nota të së vërtetës.

Nuk ka nota të së vërtetës, është thjeshtë e vërteta dramatike e këtij vendi. Janë shkatërruar plotësisht liritë politike dhe liritë ekonomike. Ka ndonjë kompani sot në Shqipëri që mund të fitojë një tender me garë? Asnjë kompani nuk e fiton dot një tender me garë. Në të shkuarën si ishte? Kishte shumë korrupsion, shumë ndërhyrje, por nuk ishin kaq keq sa tani. Çdo tender e ndan kryeministri me ekipin e tij të ngushtë, me 2-3 njerëz të tij, e ndajnë ministrat dhe kryetarët e bashkive. Nuk mundet të marrësh një tender nëse nuk paguan kryetarin e bashkisë, ministrin ose ekipin e kryeministrit. Po nuk u pagove këtyre 20 përqindëshin, nuk bëhet fjalë që të fitosh tender. Nuk mund të marrësh në Shqipëri një licencë po nuk pagove taksën tek sekserët e qeverisë. Nuk mund të bësh një investim të huaj po nuk i dhe pjesë në kapital ministrave dhe sekserëve të kryeministrisë. Prandaj nuk ka investime në Shqipëri. Nuk ka këtu liri konkurrence, as ekonomike, as politike, nuk zgjidhesh e nuk zgjedh.

 

Ju nuk është se nuk e njihnit z. Rama, përkundrazi. Jeni nga radhët e miqve të zotit Rama që nuk do u mjaftonin besoj katër vjet për të arritur në këto konkluzione.

Unë nuk jam duke folur për Ramën këtu, e as për Saliun. Jam duke folur për pushtetin, për mënyrën se si këta ushtrojnë pushtetin dhe mënyrën si këta e kanë ushtruar pushtetin dhe për përgjegjësitë e tyre politike. Unë kam qenë në politikë vetëm 30 muaj dhe gjithë jetën time jam marrë me punët e shtëpisë time, familjes time, me detyrat e mia si biznesmen, si qytetar, si prind, etj. Në politikë gjithmonë kam këshilluar në mënyrën më të drejtë dhe institucionale vetëm gjëra të shëndetshme për vendin. Asnjë politikan, as Rama, nuk mund të thotë që unë kam këshilluar diçka të ndryshme nga këto qëndrime që unë them sot. Kushdo që është këshilluar me mua, nga PS-ja, nga PD-ja që nga 1991 e deri më sot ka marrë nga unë vetëm këshilla korrekte, parimore, koherente me këto qëllime që unë shpreh këtu sot. Askush prej tyre nuk ka ndarë pushtetin me mua. Për 30 muaj që unë isha deputet mbajta këto qëndrime që i shpreh këtu, isha energjia kryesore reformuese në PS, isha njeriu që kërkonte të pakësonte moçalin e politikës, isha deputeti i parë në historinë e 26 vjetëve të politikës në Shqipëri që i trazova ujërat e politikës si askush tjetër. 50 për qind e kohës që harxhonte opozita, merrej me mua dhe 50 për qind e kohës që harxhonte pushteti e qeveria jonë i shpenzonte me truke e komplote për të më eliminuar mua e zërat e tjerë si unë në atë parti. Unë mbajta qëndrimet që i takonin të mbante një burri të përgjegjshëm që të ndryshonte për mirë gjërat, e jo thjeshtë të fliste. Unë i ftova ndershmërisht këta njerëz të reformonin sistemin politik në Shqipëri, të reformim zgjedhjet etj. Edhe sa i përket zgjedhjeve atje ku drejtova unë, shkoni e pyeteni kundërshtarët, nuk lejova të numërohej gabim asnjë votë e vetme. Rama nuk ka ndarë asnjë ditë pushtetin me mua. Unë, në 30 muaj si deputet, i jam imponuar atij në gjërat që kam bërë, me forcën e argumentit dhe me vlerën e parimet që më mbështesin. Nëse do të ndante me mua pushtetin dhe interesat nga ato të cilat ai rri në pushtet, nuk do të bashkëpunonte me Saliun dhe me kryetarët e tjerë të partive kundër mandatit tim e nuk do të bënin komplotin për të më përjashtuar nga politika pa asnjë shkak e motiv të shkruar. Nga kjo politikë që ndiqja unë përfituan shumë njerëz në zonën time. 16 mijë të reja e të rinj solla në poste kyç në parti dhe në institucionet ku kisha ndikim dhe i hapa rrugën kësaj reforme në zonën ku drejtova politikisht Partinë Socialiste. E njëjta gjë do të ishte bërë në Shqipëri nëse PS-ja do e kishte zbatuar atë reformë në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Do ta kishim hapur konkurrencë brenda që djemtë dhe vajzat më të mirë, më të përgatitur, të vinin në pushtet dhe nuk do të vazhdonim akoma, në vitin 2017, ta zgjidhnin Gramoz Ruçin, sekretar të Përgjithshëm të PS-së pa asnjë konkurrent. Po të më dëgjonte Edi Rama do të ishte bërë tjetër, ajo që ia propozova që posti të konkurrohej dhe të propozonim njerëz të tjerë.

Ju nuk keni qenë kundër, por thjesht të zhvillohej garë  brenda PS-së për zgjedhjen e Ruçit?

Jo, nuk kam qenë kundër. As nuk e kam aspiruar postin e Ruçit asnjëherë. Dhe të ma dhuronin nuk e merrja kurrë, nuk e doja dhe nuk ishte ky qëllimi im. Sa i përket Gramoz Ruçit unë kam qenë kritik me punën e tij. Ai për mua nuk e bënte detyrën e tij, nuk e drejtonte PS-në. PS-ja ishte blozë, ishte shkatërruar plotësisht nga brenda, nuk kishte as demokraci, as standarde, as procedura, as nivel dhe për këtë ky zotëria nuk mbante asnjë përgjegjësi. E kishin partinë 200 veta nëpër xhepa, letra bakalli, dhe nuk kishte asnjë bazë të dhënash. Ai nuk mbante asnjë lloj përgjegjësie, ishte gjithmonë fitues. Humbte apo nuk humbte partia, ishte gjithmonë fitues. Propozimi im për Edi Ramën ishte shumë i thjeshtë: Unë nuk kam interes, por ky post duhet të zgjidhet me konkurrencë dhe unë i kam propozuar lidershipit të PS-së kandidatë konkretë që të garonin me Gramoz Ruçin. I propozova Lindita Nikollën dhe Blendi Çuçin që të konkurronin për t’u bërë sekretar të Përgjithshëm të PS-së dhe ta rinovonin atë parti. Gramozi nuk ishte asnjë arsye që të vazhdonte pa konkurrencë të emërohej sekretar i përgjithshëm aq më pak kryedeputet i Shqipërisë.  Qëndrimet unë i kam mbajtur njësoj, si atëherë si edhe tani.

Shqipëria, peng i 3-4 njerëzve

Keni këshilluar shumë deputetë të majtë e të djathtë, siç thatë. Do t’u jepni një këshillë edhe qytetarëve në lidhje me zgjidhjen?

Kush është zgjidhja, thoni ju, për ta kapërcyer këtë histori? Së pari, ne duhet ta zhbëjmë pushtetin e këtyre individëve. Këta individë kanë marrë peng Shqipërinë. Janë 3-4 njerëz që e kanë marrë peng Shqipërinë, pasurinë e njerëzve, buxhetin e popullit, të drejtën për të punuar në këtë vend. Kanë marrë peng të drejtën për të përfaqësuar në këtë vend, të drejtën për t’u zgjedhur, të drejtën e popullit për të ripërtërirë elitën politike, kanë eliminuar të drejtën e popullit për të qenë sovran, për të zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij, për të vendosur me referendum fatin e mjedisit të tij, për të vendosur me referendum fatin e zhvillimit të tij, e kështu me radhë. Këta njerëz duhen zhbërë. Zgjidhja kryesore është ta zhbëjmë pushtetin e këtyre uzurpatorëve që janë 3-4 kryetarë partish, t’ia kthejnë pushtetin qytetarëve dhe qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

“Rama i ka ditët të numëruara”

Nëse do të ndodhte një përmbysje, do të sillte në krye të vendit burra shteti?

Pyetja është shumë e drejtë. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Çdo herë kemi hequr një qeverisje dhe kemi sjellë një më të keqe se e para. Çfarë deklaronte Fatosi (Nano) në ‘97? Deklaronte se do t’u largoheshin të gjitha sjelljeve të këqija të pushtetit të Saliut, do t’i largoheshin manipulimit dhe vjedhjes së votës, do t’i largoheshin përfshirjes së të fortëve dhe të dhunshmëve nga punët e shtetit. Çfarë bënë kur erdhën në pushtet? Bënë thagmat që ia kaluan edhe Saliut. Çfarë thoshte Saliu? Do i zhbëj, thoshte, do i vë rruspën ministrave të korruptuar të Nanos dhe në fund ia kaloi edhe Fatosit. Me çfarë shprese erdhëm ne në 2013?..

S’po thoni asgjë më shumë se çmendojnë qytetarët, të zhgënjyer nga klasa politike

Shiko çfarë ndodh! Ne e kemi zgjidhur këtë gjithnjë e më keq. Fundi i Ramës është i qartë. Ditët e tij numërohen mbrapsht. Ju them në mënyrë të sigurtë se, me këtë politikë që ai bën, i ka ditët e numëruara. Por nuk është ky problemi kryesor. Problemi është çfarë vjen mbrapa. Çdo kryeministër që është bylmez, në kuptimin e ushtrimit të përgjegjësive, si burracak pushteti, e gjen vetë rrugën e humbjes dhe e çon vetë në humbje pushtetin e tij. Kjo meriton një meditim të fortë nga populli ynë, nga inteligjenca. Duhet të prodhojmë alternativa të mira. Ato parti politike që mund të sjellin burra shteti dhe sovranin kanë aftësinë për të zgjedhur. Por, ne kemi rënë nga një fatkeqësi në një tjetër sepse nuk zgjedh populli, zgjedhin kryetarët. Vetëm Fatos Nano ka ikur nga pushteti, të tjerët janë këta që kanë mbetur ende.

Z. Kokëdhima ju ku e shihni veten të pozicionuar në këtë revolucion qytetar?

Nuk dua që të flas për veten, por them këtë gjë: Kurrë unë nuk abuzoj me pushtetin. Unë  nuk shkoj në politikë për të bërë para apo padrejtësi. Unë nuk shkoj në politikë që të ngre njerëzit e mi. Kam kulturë institucionale dhe do të sillem si burrë shteti dhe do ta udhëheq ZGJIDHJA-n drejt një partie tërësisht demokratike. Unë dua që të rivendosen kolonat e demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet e lira janë kolona e parë dhe demokratizimi i partive politike është kolona e dytë. Duhet liria e konkurencës politike. Çdo individ duhet të fitojë me mbështetjen e popullit. Populli ta zgjedhë, jo kryesia, ajo koka e mafies së partive. Populli duhet të votojë për përfaqësuesit, qoftë për deputetë, këshilltarë, kryetarë bashkie, qoftë për kryeministër apo president. Populli të zgjedhë kandidatët dhe pastaj të funksionojnë kandidaturat e tjera mbi ata që zgjedh populli. Le të funksionojnë pastaj sistemet elektorale. ZGJIDHJA është një projekt i ri që ka dy shtylla, dy objektiva themelore. I pari: të zhbëjë pushtetin e kapur të këtyre burracakëve që mbajnë peng Shqipërinë dhe së dyti të krijojë një strukturë tërësisht demokratike dhe moderne që t’u japë mundësi qytetarëve që të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre, të çajnë këtë moçal dhe t’i japin mundësitë ripërtëritjes së klasës politike që burrat dhe gratë e këtij vendi ta qeverisin popullin modestisht, jo si të fortë, por si burra dhe gra të dalë nga ky popull, jo të vijnë këtu si pushtues, por të sillen si njerëzit me njerëz. Këtë do të bëjmë ne, këtë gjë do të bëjë ZGJIDHJA.

 

“Nuk pres më asnjë të mirë nga qeverisja e Ramës, ka vetëm degradim”

Rama tani e ka vetëm timonin. E shikon si rrezik të shtuar apo si një zhvillim të mirë?

Nuk pres më asnjë të mirë nga qeverisja e Ramës. Rama ka vetëm degradim dhe asgjë tjetër. Ai ka vetëm një shans: të dëgjojë me kujdes. Por ai nuk dëgjon. Ai, kur është në opozitë, sillet si dëgjues i mirë. Për dy arsye e kam mbështetur unë Ramën në të shkuarën. E para: sepse ishte dëgjues shumë i vëmendshëm në opozitë, konsultonte njerëzit etj. Por, ai këtë nuk e ka vetëm kulturë dëgjimi, por e ka instrument manipulimi dhe përfshirjen e ka teknologji që të marrë të tjerë në mbështetjen ndaj tij. E dyta: Në atë periudhë kur pushteti i Saliut dhe Fatosit nuk respektonin liritë, nuk e donin sipërmarrjen e vendit, ishin xhelozë dhe të pamëshirshëm, i vinin taksa, pengesa, i shihnin si pula që duhet t’i shkulnin pendët sipërmarrësve që shkonin nëpër zyrat e shtetit, i shikonin me armiqësi,  Rama sillej si mik dhe mbështetës. Nuk manifestonte urrejtje, por një qasje të re për pushtetin. Por, këto ishin vetëm sjellje të jashtme, jo të brendshme. Të këqijat e Saliut janë ku e ku.

Njerëzit duhet të thonë o të keqen o Sali me atë degjenerim që iu bëri këtyre treguesve akoma e më shumë. Rama nuk ka vesh të dëgjojë. Shkatërroi çdo institucion në parti. Nuk dëgjon asnjë njeri. Ju kujtoni se ai dëgjon njerëzit në ato takimet që bën poshtë e lart?. Nuk dëgjon asgjë! Ai shkon për të folur. Flet në televizion dhe thotë dëgjesë publike. Atë insertin që dhatë këtu është bërë në kishën e Vunoit. Aty ishte edhe ministrja e kulturës. Ata e quanin dëgjesë publike për prishjet në Dhërmi. E konsideronin  se kjo ishte dëgjesë. Foli Kumbaro, foli Rama, iku dhe tha bëra dëgjesë publike. Dhe në atë komunikimin që u bë më prapa unë i them: dëgjesë publike nuk është të flasësh ti në televizion dhe të ikësh. E shihni? Shkon në OKB. E keni parë ndonjëherë të mbledhë grupin parlamentar ose të bëjë një seancë në parlament ose të miratojë fjalimin që do të mbajë Shqipëria në OKB? Keni dëgjuar ndonjëherë që të shkojë ky të konsultohet me presidentin e vendit dhe të thotë që do iki në OKB do bëjmë këtë, apo atë gjë? Asnjë! Shkoi firmosi procesin e Berlinit dhe nuk u tha asgjë shqiptarëve. Ua mbante të fshehta. Kur ishte reforma në drejtësi thoshte se unë nuk e lexoj kushtetutën dhe e firmos në të bardhë. Kush është ky? Sepse ky e konsideron plaçkën e tij, partinë, qeverisjen dhe shtetin.

Ky e konsideron sh.p.k.-në e tij dhe nuk dëgjon askënd. Unë për të mirën  e tij dhe të popullin po i them dhe një herë sot: Dëgjo me kujdes me vëmendje dhe çliro Shqipërinë, çliro zgjedhjet! Reforma zgjedhore duhet të jetë e tillë që PS dhe PD nuk duhet të kenë asnjë të drejtë për të administruar zgjedhjet në Shqipëri. Pa çlirimin e zgjedhjeve nga këto dy parti nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do ketë kurrë ekonomi, ndalim eksodi apo një shoqëri të mirë për vendin. Çliro zgjedhjet, është çështja e parë dhe çështja e dytë është të miratojë projektligjin që kemi përgatitur ne për të demokratizuar partitë politike. Nuk mund të votojnë më shqiptarët listat që bën ky zotëria dhe Saliu nga krahu tjetër.

Nuk do të shkojnë më shqiptarët që të votojnë oborrin e tij, të votojnë sulltanatin e tij, çifligun e tij. Jo! Duhet të votohen përfaqësuesit e popullit. Këto janë këshillat. Dhe sa për qytetarët e këtij vendi, unë i them që të mos jeni servilë të pushtetit, mos e keqtrajtoni vendin tonë dhe mos i vishni këtij populli këtë marketing të zi që i vishet sot, që thonë: këta ju tradhtojnë, këta ju fusin fadromat, këta votoni! Jo! S duhet të jetë kështu. Të mbështesim projektin e ZGJIDHJA-s për këtë. Jo se dua unë të më mbështesin mua. Unë, do të mbështes qytetarët e Shqipërisë në çdo aspiratë, nuk do të më mbështesin ata mua. Unë po mbështes ZGJIDHJA-n dhe ZGJIDHJA nuk do të më mbështesë mua. Do të mbështes popullin  tonë, përpjekjen e qytetarëve të vendit, njerëzit e lirë, inteligjencën, gazetarët, shkrimtarët, krijuesit dhe njerëzit e thjeshtë që duan një Shqipëri tjetër, që janë gati t’i vënë përpara këta horra, që po i marrin shpirtin këtij shteti dhe të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë. Ta mbështesim ZGJIDHJA-n, të mbështesim idetë e  mira dhe mos shikoni as të mos ndikoheni nga urithët që ka mbledhur Rama në bodrumet e kryeministrisë dhe i lëshon nëpër rrjetet sociale ata që paguhen me paratë e popullit dhe i çon që të nxijnë gjithë kundërshtarët, të sulmojnë Kokëdhimën, familjen e tij, që ta cënojmë moralisht, ta bëjmë këtë njeri që të tërhiqet etj.  Gjithë këta njerëz parazitë, që s’bëjnë asnjë vepër të mirë. Çfarë rritje mund të pësojë një njeri që ne e vëmë të shpifë dhe të shajë?! Profesioni i këtyre njerëzve të Ramës është “unë jam sharës, unë bëj pisllëqe, unë bëj pis emra të tjerë”. Ky është profesion?! Çfarë u mësojmë këtyre njerëzve? Çfarë të mirash publike, çfarë të mirash për shtetin ka kjo që paguajnë portale dhe killera të tillë që sulmojnë këdo? Asgjë nuk fitojnë. Ja këto të mira sjell ky. Ky e bën Shqipërinë pis me këto gjëra, pa asnjë vlerë, pa asnjë standard. Nuk sillet si burrë shteti. Nuk përballet me kundërshtarët. Nuk është pronë e tij, Shqipëria. S’ka parti të vogla dhe parti të mëdha. Duhet t’i dëgjosh gjithë zërat në këtë vend dhe të reflektosh. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, habitati ku jetojmë, vendi ynë dhe kemi të gjithë të drejta dhe detyrime për të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat