Ligji për minoritetet, debat në Parlament, replika Rama-Dule

Shqipëria

Ligji për minoritetet, debat në Parlament, replika Rama-Dule

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 11:24
Edi Rama

Ligji për pakicat ka qenë temë debati në seancën e kësaj të enjteje të Parlamentit të Shqipërisë.

Fillimisht ka qenë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule që ka kërkuar nisjen e diskutimeve për ligjin në fjalë, ndaj të cilit ka shprehur rezervat e tij, duke thënë se ligji bazohet vetëm në praktikat e vendeve të rajonit. 

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci ka kërkuar votim për të shtyrë debatin për ligjin në fjalë, por këtu ka hasur rezistencën e opozitës, kryetari i së cilës Lulzim Basha i ka bërë të qartë se “nuk mund të anashkalojë rregulloren me forcën e kartonëve”. 

Në vijim, fjalën e ka marrë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili duke iu përgjigjur shqetësimit të ngritur nga Dule ka deklaruar se procesi i konsultimit për ligjin nuk ka marrë për bazë vetëm praktikat e rajonit, por edhe ato ndërkombëtare. 

Bushati ka nënvizuar se, në hartimin e tij mazhoranca është konsultuar me zyrtarë ndërkombëtarë, përfshirë këtu komisionerin e OSBE-së për pakicat. 

Por duke marrë fjalën, Dule ka deklaruar se, ligji i sjellë nga mazhoranca nuk përmban asnjë risi. “Jo vetëm që nuk shton diçka të re, por ky ligj shënon hapa mbrapa. Ligji është në shkelje të hapur të konventës ndërkombëtare. Hiqni dorë nga kjo propagandë”, ka thënë Dule, i cili ka hedhur kritika edhe ndaj kryeministrit Rama. 

Ky i fundit, në reagimin e tij e ka cilësuar si tendencioze deklaratën e kreut të PBDNJ-së dhe duke iu drejtuar atij ka thënë se, nuk është përfaqësues i denjë i një minoriteti. 

“Ti je i qëllimshëm kur vë në gojë gjëra që unë s'i kam thënë kurrë. Ti je një minoritar dhe jo minoritet dhe je një përfaqësues gjithnjë e më pak i denjë për atë minoritet, të cilit ne i kemi dhënë dhe i japim respekt me ligjin që do të kalojmë sot”, ka thënë Rama. 

Duke iu përgjigjur deklaratës së Dules, Rama është shprehur se, “Europa nuk është as kishë, as xhami, Vangjel. Europa është një kontinent ku ne jemi pjesë. Fakti që s'jemi në BE nuk do të thotë se nuk jemi europianë. Ligji është krenari për këtë Parlament dhe një arsye që të tjerët rreth nesh të mësojnë nga ne si respektohen minoritetet”, ka thënë Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat