Rama i përgjigjet Prokurorisë për Tahirin

Shqipëria

Rama i përgjigjet Prokurorisë për Tahirin

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 11:43
Edi Rama

E shkruar në selitë e partive politike. Kështu e ka komentuar kryeministri Edi Rama deklaratën që Prokuroria për Krime të Rënda bëri duke kritikuar qëndrimin që kreu i qeverise mbajti publikisht ndaj provave që ka organi i akuzës për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në një deklaratë pas reagimit të Prokurorisë, Rama thotë se nuk ka asnjë përpjekje politike nga ana e tij për të ndikuar hetimin e nisur ndaj Tahirit. Kryeministri argumenton se pse shprehu gjykimin e tij mbi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit me akuzën për trafik droge. 

Sipas Ramës, deputetët nuk mund të bëhen noterë të kërkesa të prokurorisë, por duhet t’i gjykojnë ato. 

Në përfundim në reagimin e kryeministrisë thuhet se fakti që është pranuar nga mazhoranca kërkesa për hetim, kontroll banese, garanci pasurore dhe mos lejimin e Tahirit për të dalë jashtë Shqipërisë, është mbështetje e fortë ndaj prokurorisë për t'i shkuar deri në fund kësaj çështje. 

Deklaratë shtypi e Zyrës së Kryeministrit

Kryeministri Edi Rama, shpreh keqardhjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda, është shprehur në media menjëherë pas fjalës së tij përpara grupit socialist, lidhur me kërkesën për hetim të deputetit Saimir Tahiri.

Kryeministri i Shqipërisë, mbron pikëpamjen se detyra e organit të prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër. Po ashtu organi i akuzës, sipas kryeministrit, as ka detyrën dhe as i’a lejon etika e funksionit të vet, të ushqejë debatet politike me komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike.

Ai shpreh po ashtu keqardhjen, që organi i akuzës pretendon se ka konstatuar përpjekje për intimidim në fjalën e mbajtur sot prej tij. Në fakt, kreu i qeverisë dhe lideri i shumicës parlamentare, vetëm ka dhënë opinionin e grupit parlamentar, bazuar në raportin e Komisionit të Mandateve dhe Rregullores dhe, padyshim, në paraqitjen aspak serioze prokurorisë në seancat publike të atij komisioni.

Kryeministri i rikujton me këtë rast organit të prokurorisë, se ligjvënësit nuk janë noterë të kërkesave të këtij organi, po kanë detyrimin kushtetues t’i lexojnë ato, të dëgjojnë sqarimet e përfaqësuesve të organit në fjalë dhe, padiskutim, të gjykojnë mbi to. Prandaj ai, përsërit apelin që Prokuroria e Krimeve të Rënda të bëjë punën që i ngarkon kushtetuta e Shqipërisë dhe legjislacioni shqiptar, dhe gjykimet mbi politikën t’ia lerë publikut.

Duke nxitur një hetim sa më të shpejtës, serioz dhe shterrues për çështjen që lidhet me Saimir Tahirin, si edhe duke besuar sinqerisht se me pranimin e kërkesës së prokurorisë nga ana e saj, shumica parlamentare i ka dhënë organit të akuzës një mbështetje të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimit, kryeministri i Shqiperisë i uron këtij organi punë të mbarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat