Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka dhënë urdhërin për arrestimin e një punonjësi policie në komisariatin e Durrësit, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.
Në pranga ka përfunduar 33 vjeçari Fatmir Meço, punonjës i patrullës në Durrës. Efektivi i Durrësit bashkëpunonte me disa persona të tjerë për shitjen e drogës. Fitim Selaci, 19 vjeçar dhe banues në Fushë Krujë, është personi i dytë i arrestuar, i cili bashkëpunonte me efektivin e policisë. Në banesën e tij janë gjetur rreth 6.3 kilogramë kanabis. Punonjësi i policisë i linte rrugë dhe krah të lirë 19 vjeçarit dhe dy personave të tjerë të shpallur në kërkim, që këta të fundit të trafikonin lirisht drogë. SHÇBA dyshon se edhe efektivi i policisë ka kryer vetë disa herë rolin e korrierit të drogës, duke transportuar kanabis me makinën e tij
Për më tepër lexoni njoftimin e policisë:
SHÇBA arreston punonjësin e Policisë në Komisariatin e Durrësit për shitje narkotikësh
Pranga edhe 1 shtetasi, 2 të tjerë shpallen në kërkim
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në bashkëpunim me Sektorin Kundër Narkotikëve në Policinë e Durrësit kanë arrestuar punonjësin e Patrullës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, Fatmir Meço.
33-vjeçari akuzohet për ‘’Shpërdorim të detyrës’’ dhe ‘’Prodhim e shitje të narkotikëve’’.
Gjithashtu u arrestua shtetasi Fitim Selaci 19 vjeç, banues në Fushë Krujë, si dhe janë shpallur në kërkim dy persona, A.M., 24 vjeç dhe R.T., 19 vjeç, me akuzën e ‘’Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve’’
Arrestimi i punonjësit të policisë Meço u bë pas një hetimi disa mujor, zhvilluar me metoda speciale nga SHÇBA.
Nga ky hetim rezultoi se efektivi i Komisariatit të Durrësit bashkëpunonte me Fitim Selacin dhe dy personat e shpallur në kërkim, për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Fatmir Meço duke shfrytëzuar pozicionin e tij, u garantonte pjesëtarëve të grupit lehtësi në mbajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në disa raste, dyshohet se ky punonjës policie ka transportuar dhe shpërndarë edhe vetë lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në banesë atij iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kanabis, si dhe një presë për paketimin e lëndës naroktike.
Në banesën e shtetasit Fitim Selaci në Fushë Krujë u sekuestrua një sasi prej 6.3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.