Kolonelja prefekte, gruaja që mbrojti paktin detar me Greqinë

Shqipëria

Kolonelja prefekte, gruaja që mbrojti paktin detar me Greqinë

Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 09:32
Edi Rama dhe Suzana Jahollari

Mes 12 Prefektëve të rinj të emëruar sot nga kryeministri Edi Rama, është edhe një grua. Suzana Jahollari është emëruar si prefekte e Tiranës.

Ajo është e vetmja grua kolonele në historinë e Shqipërisë.

“Për ta mbyllur me prefektin e Tiranës, e para kolonele në historinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kolonele në rezervë Suzana Jahollari, komandante e Akademisë së Nënoficerëve Tomson, drejtore e drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes, me kualifikime në Holandë dhe në SHBA. E aktivizuar në forume të NATO-s, që lidhen me barazinë gjinore dhe çështje të tjera”, u shpreh Rama nga selia e qeverisë teksa prezantoi 12 Prefektët e rinj të vendit.

Suzana Jahollari ka një karrierë të gjatë në Ushtri. Në media, ajo është shfaqur rrallë dhe ka folur kryesisht për problemet gjinore ose ato të Forcave të Armatosura.

Megjithatë, të paktën një herë ajo është përfshirë në një çështje të sigurisë kombëtare. Vite më parë, në kulmin e debatit për nënshkrimin e marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë, Suzana Jahollari ka mbajtur një qëndrim të qartë. Ajo e ka mbrojtur këtë marrëveshje duke e quajtur në zbatim të konventave të OKB-së. Pakti detar me Greqinë ishte skandali i paktit antikushtetues të qeverisë “Berisha”, që u zbulua nga gazetari Tedi Blushi në “Gazetën Shqiptare”.

Koha provoi se marrëveshja e dëmtonte Shqipërinë: këtë e vendosi drejtësia.
Për herë të parë në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi paktin detar me Greqinë të firmosur nga 2 ministrat e Jashtëm të kohës, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis. Kushtetuesja veproi pas padisë që depozituan aty Saimir Tahiri dhe Ervin Bushati në emër të Partisë Socialiste.

Në datën 29 shtator 2009, në “Gazetën Shqiptare” u publikua letra që prefektja e sotme, Suzana Jahollari i dërgon Myslim Pashajt, koloneli i cili e denoncoi këtë pakt në faqet e “GSH” dhe më pas në të gjitha mediat. Për ata që s’e mbajnë mend, marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë u rrëzua pasi ajo dëmtonte interesin tonë kombëtar, duke e ndarë kufirin në mënyrë të padrejtë dhe duke “i dhuruar” Greqisë rreth 350 kilometra katror territor.

GSH.al po risjell sot letrën që kolonelja Suzana Jahollari i dërgon Myslim Pashajt, në replikë të studimit të tij prej 117 faqesh ku argumentohej se ky pakt nuk duhej ratifikuar në Kuvend, pasi ishte në disfavor të Shqipërisë.

LETRA E PUBLIKUAR NE “GSH” ME 9 SHTATOR 2009
Tiranë, më 31/8/2009
Lënda: Kthim përgjigjeDrejtuar: Zotit Myslim Pasha
Zoti Myslim,
Në përgjigje të letrës Tuaj, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes “Për nënshkrimin e marrëveshjes detare me Greqinë”, Ju bëjmë me dije se Ministri është njohur me shqetësimin Tuaj.Pasi u konsultuam me strukturat përkatëse për këtë problem, Ju sqarojmë si më poshtë

– Nënshkrimi i Projekt-Marrëveshjes dypalëshe midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, lidhur me delimitimin e hapësirave detare mbi të cilat ushtrohet sovranitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, buron nga neni 83 i Konventës së Montego Bay-it të vitit 1982 (UNCLOS), në të cilën të dy shtetet janë palë. Në formulimin e kësaj marrëveshje janë zbatuar rigorozisht parimet themelore së kësaj Konvente.– Në këtë marrëveshje janë pasqyruar të drejta të tilla si ajo e sovranitetit shtetëror për qëllimet e shfrytëzimit të burimeve natyrore të shelfit kontinental (article 77 UNCLOS), statusi i pasurive nënujore dhe hapësirës ajrore mbi të (article 78 UNCLOS), gjendet i reflektuar dhe një parim tjetër shumë i rëndësishëm, që është e drejta e kalimit paqësor (article 17 UNCLOS), artikulli 15 i UNCLOS, i cili përcakton mënyrën e delimitimit të detit territorial midis dy shteteve që janë ballë për ballë ose fqinjë, si dhe kapitulli VI i saj, ku trajtohet “Shelfi Kontinental”.– Kjo Projekt-Marrëveshje është përgatitur nga një grup profesionistësh të fushës juridike, ushtarake dhe politike.

– Projekt-Marrëveshja ende nuk ka kaluar për ratifikim në Parlament. Do të ishin me vlerë mendimet që mund të jepen nga ana juaj, në diskutimet që do të zhvillohen për këtë problem.Duke shprehur vlerësimin tonë maksimal si specialist i fushës përkatëse, jeni i mirëpritu të vini e të njiheni me praktikën e ndjekur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

Faleminderit për mirëkuptimin, Nënkolonele Suzana JAHOLLARI

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat