Ramën e lëshojnë nervat, u përgjigjet greqisht deputetëve të opozitës

Shqipëria

Ramën e lëshojnë nervat, u përgjigjet greqisht deputetëve të opozitës

Më: 3 nëntor 2017 Në ora: 13:26
Edi Rama

Fëmijët nuk duhet të lejuar t’i shohin seancat plenare. Gjuha që përdori dje në Parlament kryeministri Edi Rama ndaj rivalëve të tij të opozitës ka kaluar çdo lloj caku etik. Që në fillim të seancës, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha u zhvillua një garë për ta çuar debatin në mullirin ku i interesonte secili prej tyre. Rama që mundohej ta zhvendoste debatin tek çështja e Himarës dhe marrëveshja e detit me Greqinë, ndërsa Basha te akuzat ndaj qeverisë për lidhje me drogën dhe krimin. Pas disa replikash harruan rrugës çështje për të cilat nisen debatin dhe të dy përfunduan në batuta, duke folur për domate, kastraveca dhe karrota.

Situata u ndez më shumë kur ish-kryeministri Sali Berisha, nxori një video ku Rama fliste greqisht, e pas këtij momenti debati u degjenerua me fjalor të ulët. Rama u përfshi në replikë me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PDBNJ, Vangjel Dule, lidhur me Himarën dhe Marrëveshjen e Detit me Greqinë. Dule akuzoi Ramën se kishte përdorur gjuhë urrejtjeje, duke përdorur ngjarjen e Himarës ku sipas tij po shkelen të drejtat e minoritetit. Rama iu drejtua me fjalën greke “qirje” që përkthehet “zotëri” ish-kryeministrit Berisha, ndërsa fjalën “palikari” (trim) e përdori teksa replikonte me Dulen. Ironi pa kripë e quajti Lulzim Basha gjuhën e Ramës, ndërsa shtoi se kështu siç e ka nisur, kryeministri mund të heqë edhe çorapet në parlament. Reagimi i deputetit demokrat, Ervin Salianji, ka qenë më i fortë, sipas të cilit Ramës duhet t’i ndërpritej fjala pasi në këtë orë televizionin e ndjekin edhe fëmijët.

Debatet e plota

Edi Rama: Këtu ka një lloj kastraveci që nuk eksportohet, por kultivohet në llumin e politikës së PD-së.

Lulzim Basha: Këtu kultivohet droga, ju flisni e bëni interpelancë për karrota e patate. Sot këtu arritja më e madhe është kush fiton sa më shumë terren për të kultivuar drogë. A e shikoni këtë klloun që refuzon t’i përgjigjet pyetjes pse e zhyti këtë vend në krim, pse i bëri kryetarë bashkish kriminelët? Pse duhen kryebashkiakët në tavolinën e kriminelëve? Ty po të them Edi Rama. Nuk i ikën kurrë kësaj pyetjeje ti. Streha e fundit e maskarait është pseudo-patriotizmi. Ti patriot? Ti nuk do që të çelen negociatat me BE-në. Ti merr milionat me kërbaç nga xhepat e qytetarëve për t’i ndarë me oligarkët, me të cilët mban pushtetin. O më i madhi i kastravecëve, këto janë shifrat, do të japësh llogari, herët a vonë, unë besoj më shumë herët se sa vonë.

Sali Berisha (U tregon kamerave iPAD-in): Dua t’i tregoj Noriegës se përsa i përket patetizmit tënd dhe problemit me Greqinë ftoj shqiptarët të dëgjojnë këtë zotëri, ky është Rama duke mbajtur fjalim për Papandreun, antishqiptarin më të madh të rajonit.

Edi Rama: Kjo është fjala përshëndetëse që unë kam bërë në kongresin e PASOK-ut në pamundësi për të shkuar atje në atë periudhë. Që të shkosh atje dhe t’i thuash tjetrit se unë kam folur në një gjuhë tjetër dhe të tregosh kaq hapur sesa i dyfishtë je në gjithë ato që mendon dhe thua, këtë mbaje vetë. Rëndësi ka që ato gjuhë që i di nuk i kam si ndërtime pa leje si ti, që kur në flet në çdo gjuhë që bën sikur e di, duket sikur ndërton një ndërtim pa leje. Unë nuk di greqisht.

Sali Berisha: Studimi i tanishëm përmbysi një studim të mëparshëm, po të partisë tuaj, e cila përcaktonte se ku klientela do të ndërtonte. Përmbysi studimin britanik, bëri studimin tjetër sipas u shërbente klientelistëve të tij. Ky atdhetar përdor si strofull të fundit nacionalizimin.

Edi Rama: Fole nga havaja jote. Nuk ka lidhje fare masterplani, por një projekt urbanizimi, për sheshin e Himarës, për kopshtin e Himarës dhe ndërtesën e re të bashkisë. T’i ngatërrove dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Unë nuk vij këtu me libër shtëpie. Shqipëria është nën akuzë sot nga fqinjët për shkelje të të drejtave të minoritetit në Himarë. Ajo që të takonte ty është që kur del këtu, të mos flasësh nga Havaja, por si ish-kryeministri i Shqipërisë për 8 vjet. Të mos ndash këtu hesapet që ke me mua, por të bësh hesapin e Shqipërisë.

Vangjel Dule: Kryeministri i vendit dhe në të njëjtën kohë, kryenarkokultivuesi e kryenarkotrafikanti, nga ky podium mbajti një fjalim që do të mbahet mend në këtë sallë parlamenti si gjuha e urrejtjes e gjuha e përçarjes. I nderuar zoti i kryetarit të seancës. Kur një deputet abuzon me gjuhë urrejtje, raciste, diskriminimesh, juve duhet ta ndërprisni, sepse shndërrohet në foltore turpi, sepse ai nuk ka turp. Nuk dua që të ritheksoj se streha e fundit e maskarenjve është pseodopatriotizmi. Një gazetar mik dhe shumë i spikatur, na pati paralajmëruar kur na pati thënë: Dëgjoni, ai njeri është i zymtë dhe mbajeni mend se ai do të sjellë zymtësi politike e institucionale. Por ky njeri nuk është vetëm i zymtë sepse solli kanabizimin dhe krimin, e bëri njësh qeverinë dhe kriminalizimin, qeverinë dhe kanabizimin.

Edi Rama: Zoti Vangjeli, qirje Saliu, unë nuk iki kurrë. E dëgjova zotrote Vangjelin, fjalët raciste e gjuhën e urrejtjes nuk e di ku i pe. Unë fola për një çështje që është çështje e këtij vendi e këtij populli që lidhet me aspiratën e tij. Nuk shava e as lëshova gjysmë fjalë me termat që sapo përmendet. Mbase si minoritar të takonte ta pyesje qirje Saliun se çfarë kishte me atë të folurën time greqisht e t’i thoje se gjuha jote është një gjuhë e madhe që askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë siç e përdori qirje Saliu. Ti e ke minoritetin biznes politik. Qirje Saliu dëgjo me vëmendje se nuk ke as Dashin e Havasë këtu. Qirje Saliu nuk ka lidhje masteplani, por një projekt urbanizimi për sheshin e Himarës.

Vangjel Dule: Ti je njeriu që ke më shumë vite në pushtet. Unë jam njeriu që kam më shumë vite në opozitë. Do i përgjigjesh këtij popullit për çështjen e kanabizimit të vendit. Nëse ke përgjigje, na jep, nëse jo, mos e rëndo më pozicionin e kryeministrit të Shqipërisë.

Edi Rama: Keni bërë një hesap pa hanxhinë z. Vangjeli. Hanxhiu është atje. Ishte në 25 qershor dhe këtu do jemi. Jua kam thënë në 2013, jua kam thënë në 2015, jua kam thënë në 2017 po jua them sot për 2019. Ju vazhdoni bjerini gajdes, ja ku e keni gramafonin. Ai përpara, ju mbrapa, kërceni atë palikarin si quhet ajo dhe do e shikoni.

Lulzim Basha: Kushdo që e ka ndjekur parlamentin e kupton fare mirë sikletin e Ramës, sikleti që e futi në këtë sallë, kriminelët dhe bandat e drogës. Ky që nuk donte aleatë në prehër, sot nuk e ka krimin në prehër, është vetë krimi. Nuk merr asnjë vendim dot për këtë vend ky pa u konsultuar me kriminelët.  Atyre që u ke prishur shtëpitë, i ke lënë në rrugë. Po a dhimbsen këtij? Jo, se ky për vete ka substanca të tjera për t’u ngrohur. Në të gjithë Shqipërinë ta kanë pirë ujin, s’të beson më njeri. Ti je përgjegjësi dhe autori i një ekonomie në krizë që nuk prodhon asgjë, përveç drogës. Ke marrë peng qytetarët, votat dhe vendin me kriminelët. Nuk mund të them se PS ka qëllime anti-kombëtare, se kam miq në PS po aq të revoltuar sa unë. Por je ti, vetëm ti shkaktari. I le shqiptarët pa punë, pa drita, pa rend, që ti dhe krimi të keni 1.3 miliard të ardhura në vit. Je episodi më i zi në 27 vite.

Ervin Salianji: Kryeministri mbajti këtu 7 minuta palikarin në gojë, këtu është Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet të flisni në shqip. Nuk mund të shkelni kështu rregulloren, jemi Kuvend dhe punimet mund t’i ndjekin fëmijë të të gjitha moshave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat