Rama sqaron se kush do paguajë për puset e ujit, shpëtojnë familjarët

Shqipëria

Rama sqaron se kush do paguajë për puset e ujit, shpëtojnë familjarët

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 13:41
Edi Rama

Matëse do të duhet të vendosen vetëm në puset që shfrytëzohen nga biznese. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorët e Peshkopisë, duke hedhur poshtë keqkuptimet e ngritura kur ai ditë më parë prezantoi reformën që qeveria do të marrë për ujin. Kështu, familjarët që kanë pus në shtëpitë e tyre, nuk do duhet të vendosin matës.

“Qartësisht dua ta përsëris se qeveria në bashkëpunim me bashkitë është e vendosur ta çojë deri në fund reformën për ujin dhe reformën kundër vjedhjes së tyre. Nuk bëhet fjalë për taksë pusesh, nuk bëhet fjalë për puset familjare. Kur themi puse, ka puse industriale. Ka fabrika uji që marrin ujë masivisht nga nëntoka. Nuk bëhet llaf për të vendosur taksë. Taksa është e tepër, por tarifë. Në problemin e kemi ujin e pijshëm. Shko e bëj pus në Gjermani apo Itali, po të nxjerrin ty zgupthi e të çojnë në polici. Ne jemi vendi i dytë më i pasur në Evropë, pas Norvegjisë. Kush merr ujë në lidhje të paligjshme, duhet të shkojë të bëjë lidhjen. Kodi penal e ka të shkruar qartësisht se kush vjedh ujë; vjedh. Kush vjedh drita; vjedh”, tha Rama.

Prej ditë së premte, Rama e ka zhvendosur mbledhjen e qeverisë në Dibër së bashku me kabinetin qeveritar. Rama u shpreh para dibranëve se Rruga e Arbrit do të bëhet me gjysmën e kostos krahasuar me projektin e vjetër. Rama tha se pas përfundimit të rrugës, Dibra do të jetë oborri i pasëm i metropolit.

“Pas ndërtimit të rrugës, Dibra do të jetë një lagje e madhe Tiranës, pasi integrimi do të jetë i plotë. Dibra do të kthehet në oborrin e pasmë të metropolit. Me ndërtimin e rrugës do të shikojmë ndryshime të mëdha në bujqësi, turizëm dhe jo vetëm. Po diskutojmë me qeverinë Maqedonase për të ndërtimin e pjesës së mbetur në anën tjetër të rrugës”, tha Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se qeveria do të investojë edhe rindërtimin e muzeut në Kastriot.

“Ne kemi sot edhe projektin e muzeut të Skënderbeut në Kastriot. Ne po financojmë rindërtimin e muzeut dhe mendojmë se kjo do të jetë një pikë shumë e rëndësishme që do t’i japë më shumë mundësi të gjithë zonës. Do të bëjmë investimin e munguar edhe për llixhat. Ndërhyrjet në qytete janë shumë të rëndësishme për njerëzit”, tha Kryeministri.

Kreu i qeverisë premtoi edhe dhënien falas të librave për fëmijët me kusht që të kthehen mbrapsh dhe u kërkoi banorëve të bëhen të duruar, pasi qeveria nuk ka thes që e hap dhe nxjerr paratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat