Rama në periudhë “mjalti” me Nanon, tre politikanët e PD që vlerëson më shumë

Shqipëria

Rama në periudhë “mjalti” me Nanon, tre politikanët e PD që vlerëson më shumë

Më: 14 nëntor 2017 Në ora: 23:56
Edi Rama

Edi Rama i ftuar në emisionin “Studio e Hapur”, nga Eni Vasili në News 24 ka folur për raportin e tij me ish-liderin e PS, Fatos Nano. Sipas tij raporti me Nanon nuk është ai që ka qenë më parë, por është i bukur kështu është. Po ashtu Rama foli dhe për kundërshtaret e tij si në opozitë dhe për ata që ka ndarë pushtetin.

Raporti me Nanon

“Marrëdhënia me Nanon nuk është siç ka qenë atëherë, është ndryshe, por është e bukur në një mënyrë tjetër. Fatosi nuk ka fatin që kam unë, nuk ka pasur një paraardhës të tërhequr nga fusha e betejës aty ku je në krye që duhet të jetosh me fytyrë në baltë dhe në gjak. Një njeri që nuk e ka, ka gjithë eksperiencën për ta parë arenën, por nuk e ka atë stresin e vendimmarrjeve të shpejta, të përditshme. Por mund të të japë këshilla që janë shumë të vlefshme. Është e vërtetë, unë e pyes. Unë pyes shumë njerëz, pyes edhe ata ku shkoj te ajo shtëpia që juve u kujtoj estradën. Është fat që të kesh një paraardhës që ka kaluar në të njëjtën rrugë dhe e njeh më së miri fushën e betejës, por që e ndjek atë nga larg. Takojeni se do kënaqeni.”. -është shprehur Rama për raportin me Nanon.

Mendimi për Berishën

Sali Berisha është lider dhe kjo nuk diskutohet. Por është një natyrë lidershipi krejt tjetër nga natyra ime dhe lidershipi që unë pëlqej. Unë e shoh lidershipin si një lojë shahu, kurse ai si një valle me shpata. Kam përshtypjen që për të më e rëndësishme sesa rruga që duhet bërë, është kundërshtari që konkurron. Ai e jeton betejën në çdo sekondë me në radhë të parë kundërshtarin që duhet ta shkatërrojë dhe pastaj rrugën që duhet të ndërtojë. Kjo ka bërë që të mos bëjë dot gjërat që duhet të bënte PD, por është marrë vetëm me shkatërrimin e kundërshtarit. Atë më shumë e hidhëron suksesi i tjetrit sesa e gëzon suksesi i vet.

Mendimi për Metën dhe Kryemadhin

Ilir Meta është politikan rrace, kurse Monika është thjesht bashkëshortja e tij. Monika është kapaku pa tenxhere. Si President, unë e kam thënë edhe më parë, Ilir Meta mund të jetë shumë I mirë dhe e kam besuar, pavarësisht çfarë mund të thuhet. Deri tani vlerësimin e kam pozitiv. Kurse për lidershipin e Monikën, kapaku pa tenxhere, bën vetëm zhurmë.

Mendimi për Bashën

Fatkeqësia e tij është që përpiqet të imitojë të paimitueshmen. Kur përpiqesh të imitosh të paimitueshmen bëhesh qesharak.

Çështja Blushi

Krijoi një sherr, u largua nga një sherr. Ishte pjesë e familjes dhe i takon familjes. Nuk kam asnjë kënaqësi që ai nuk e fitoi dot bastin e tij. Nuk mund të them që jam mërzitur. Guxoi dhe meriton respekt. Por I takon kësaj familje. Nuk kam dëshirë të flas për sherre që mund të ishin evituar. Bëra çmos ta evitoja. Unë e quaj sherr, ai e pa ndryshe. Por guxoi dhe duhet respektuar.

Tre politikanët që vlerëson nga opozita

Alfred Serreqi është një personazh për të cilin ruaj shumë respekt. Një njeri i kulturuar dhe shumë dinjitoz.  Ridvan Bode, më dukej sikur ishte i vetmi që përdorte lapsin kur të tjerët i binin muzikës me vesh. Pavarësisht çfarë mund të jetë thënë, ishte një person që bënte diferencën. Po të mos ishte ai Saliu nga Sudja do shkonte te Sania dhe nga Vehbiu te Aliu.  Jozefina Topalli, jo për shumëçka, por për një fakt që besoj se meriton respekt: një njeri konseguent deri në fund edhe me gabimin e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat