Mbi 300 mlilion lekë në shtëpi, gjyqtari kërkon lirinë në gjykatë

Shqipëria

Mbi 300 mlilion lekë në shtëpi, gjyqtari kërkon lirinë në gjykatë

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 09:30
Shkëlqim Miri

Gjyqtari i arrestuar i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, kërkon lirinë.

Mbrojtësit e tij kanë ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, e cila e ka lënë në “arrest me burg” gjyqtarin Shkëlqim Miri.

Kërkesa është dorëzuar dy ditë më pare tek Apeli i Krimeve të Rënda, ku gjyqtari shpreson që të lihet i lirë. Shkëlqim Miri akuzohet për korrupsion, pasi dyshohet se ka marrë 30 mijë euro në këmbim të votës së tij pro lënies në fuqi të një vendimi.

Bëhet fjalë për rastin e Gentian Dodës, i cili është në kërkim nga Policia për akuzën e korrupsionit, gjithashtu. Gentian Doda është dënuar vite më parë me 20 vjet burg për vrasje me paramendim.

Vendimi ndaj tij u dha nga Gjykata e Matit në mungesë, por pas kapjes dhe ekstradimit të tij nga SHBA-të në Shqipëri, Dodës iu bë rigjykim sipas marrëveshjes mes Ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve amerikane.

Në rigjykim, Shkalla e Parë e Matit bëri rikualifikim të veprës penale, duke e dënuar në përfundim me 8 vjet burg Dodën për plagosje me dashje me pasojë vdekjen. Prokuroria e apeloi vendimin dhe Apeli i Tiranës votoi 2-1 pro lënies në fuqi.
Pikërisht për votën e tij pro, gjyqtari Shkëlqim Miri akuzohet se ka marrë 30 mijë euro nga Gentian Doda. Këto para janë dorë- zuar te gjyqtari, sipas Prokurorisë, pas shumë takimesh mes Kujtim Mirit, të afërmit të gjyqtarit dhe të afërmit të Gentian Dodës, Alban Bucit.
Ky i fundit është ende në kërkim, ndërsa kushëriri i gjyqtarit është në burg. Takimet janë zhvilluar në një lokal në Fushë- Krujë, në pronësi të një të afërmi tjetër të gjyqtarit Miri dhe më pas janë dorëzuar paratë. Gjithashtu, lidhur me akuzën, ka një seri përgjimesh nga ana e Prokurorisë që vërtetojnë pretendimet e saj.

Bëhet fjalë për bisedat e Gentian Dodës, i cili ka komunikuar me të afërm të tjerë për të mbledhur shumën e parave që kërkonte gjyqtari. Pas kontrolleve në banesën e Shkëlqim Mirit, hetuesit gjetën 33 milionë lekë të reja, të cilat nuk ishin deklaruar nga gjyqtari. Kjo mjaftoi që ai të arrestohej dhe të dilte para Gjykatës.

Pas përfundimit të seancës së masës së sigurisë, për gjyqtarin Shkëlqim Miri, avokati i tij, Ardian Visha, u shpreh se ka një mungesë relacioni logjik në veprimet e institucionit të Prokurorisë. Sipas tij, ka një dinamikë hetimi prej janarit deri në fund të majit e fillim të qershorit, kur është dhënë vendimmarrja e Gjykatës së Apelit, pastaj ka një boshllëk pa asnjë veprim të karakterit hetimor.

“Befas, në nëntor, Prokuroria i kërkon Gjykatës dhe Gjykata lejon kontrollin e banesës për të gjetur sende që lidhen me një vepër të atribuuar në maj. Kjo nuk ka arsye dhe logjikë, pa çka rezultatit. Rezultati pastaj, kontroll banesë, natyrisht duke shfrytëzuar edhe boom-in mediatik për shumën dhe vlerësimit të lakimit që i bëhet gjyqësorit qoftë nga politika, qoftë nga ju media, e ka bërë efektin e kundërt. Efekt, që pastaj, për ironi të fatit, u përdor nga prokurori si kusht për të kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Si kusht për të kërkuar masën ekstreme, u përdor natyrisht opinioni tërësisht negativ për gjyqë- sorin”, u shpreh avokati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat