Mosarrestimi i ish zyrtarëve, Rama: Nesër bëjmë kallëzim penal! Operacioni u dekonspiruas

Shqipëria

Mosarrestimi i ish zyrtarëve, Rama: Nesër bëjmë kallëzim penal! Operacioni u dekonspiruas

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 21:23
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ditën e nesërme Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj do të depozitojë një kallëzim penal në lidhje me çështjen e mosarrestimit të tre ish zyrtarëve të lartë të policisë, të kërkuar nga prokuroria nën dyshimin se kanë lidhje me grupin e Habilajve.

I ftuar në emisionin “Arena”, Kryeministri tha se do të ketë një kallëzim për këdo që ka patur dijeni në lidhje me operacionin në fjalë, i cili sipas kryeministrit është dekonspiruar. Kryeministri nuk ka dhënë më shumë detaje se kush janë personat që do të kallëzohen, por është nënkuptuar se mund të jenë dhe emra të opozitës, të cilët kanë denoncuar lidhjen e këtyre ish zyrtarëve me grupin e Habilajve.

Pjesë nga debati:

Rama: Policia e shtetit ka shifrën më të lartë të zbulueshmërisë së krimeve, në historikun e shifrave dhe sot, këtë vit shqipëria ka numrin më të ulët të vrasjeve në shifra historike.

Përse i përket rastit konkret, nuk dua të bëj replika...

Artur Zheji: Por emrat e mëdhenj të drogës, si Balilaj etj nuk janë kapur...

Rama: Patjetër që ka dhe raste të tilla dhe nuk ekziston asnjë polici shteti që të ketë kapje 100% të autorëve të kërkuar, qofshin të nivelit të lartë apo të mesëm kriminal. Për rastin konkret të jap përgjigje konkrete.

Rama: Unë nuk dua të bëj replika me opozitën, opozita është në një proces të vetin dhe nëse ka një subjekt që është dukshëm dhe prekshëm në drejtim të paditur është opozita.

Dua të them që nesër Ministri Xhafaj do të bëjë një kallëzim penal për të kërkuar një hetim të plotë për dekonspirimin e sekretit hetimor në rastin konkret duke përfshirë të gjithë ata që kanë patur dijeni, duke përfshirë dhe vetveten, duke vënë në dispozicion të gjithë gadishmërinë tonë, dhe duke kërkuar që po ashtu të vihen në gadishmëri për hetimin edhe të tjerët.

Zheji: Ju po akuzoni prokurorinë tani, që është bashkëpunëtore me këta?

Rama: Unë nuk e thash këtë. Unë thash që nesër Ministri i Brendshëm do të materializojë kallëzimin penal për dekonspirim të sekretit të këtij procesi, për të cilin ju më thatë se opozita më ka kallëzuar mua personalisht. Dhe Ministri i Brendshëm do të kërkojë të hetojë të gjithë ata persona që kanë patur në dijeni këtë ngjarje

Zheji: Do hetojë Fatmir Xhafaj veten... apo edhe opozitën?

Rama: Është një rast që në mënyrë të përdëritur del në media, në tribuna politike, përpara se të materializohet një operacion. Në rastin konkret ekziston dyshimi se është dekonsipruar operacioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat