UNICEF: Nxënësit shqiptarë, ndër më të mirët në rajon

Shqipëria

UNICEF: Nxënësit shqiptarë, ndër më të mirët në rajon

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 12:03
ilustrim

Fëmijët shqiptarë tregojnë ecuri të qëndrueshme në të gjitha fushat e mësimnxënies, si shkencat, matematika dhe leximi, ku lënë pas bashkëmoshatarët e tyre nga shumë prej vendeve të rajonit.

Duke iu referuar analizës së rezultateve të Programit Ndërkombëtar të Vlerësimit të Studentëve (PISA) për vitin 2015, UNICEF vlerëson shkallën e përvetësimit të njohurive dhe aftësive, që janë thelbësore për pjesëmarrje të plotë të nxënësve në shoqëritë moderne.

“Fëmijët shqiptarë kanë të njëjtin nivel me bashkëmoshatarët e tyre në vendet që janë pjesë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, përsa i përket barazisë sociale dhe aftësive për t’ia dalë në jetë, pavarësisht se vijnë nga mjedise të pafavorizuara”, thotë ky raport.

Politikëbërësit, përdorin gjetjet e PISA-s për vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve, vendosjen e standardeve për përmirësime dhe kuptimin e pikave relativisht të forta dhe të dobëta të sistemit arsimor.

“Ajo çfarë është e rëndësishme për vendin dhe që vlen për t’u vlerësuar është fakti që fëmijët shqiptarë, jo vetëm që kanë arritjet më të larta akademike, por edhe që shkollat shqiptare po përgatisin qytetarë me vlera dhe të përkushtuar. Rezultatet e PISA-s tregojnë se fëmijët shqiptarë kanë treguar se, përkatësia komunitare dhe mirëqenia janë në nivele të larta duke u renditur të tretët pas Spanjës dhe Austrisë. Reformat e guximshme dhe nismat novatore, si ajo e ‘Shkollave si qendra komunitare’ tashmë po japin frytet e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar të UNICEF-it.

Më tej sqarohet se shkollat shqiptare janë në rrugën e duhur drejt ofrimit të arsimit të qëndrueshëm për të gjithë fëmijët, pavarësisht gjendjes ekonomike. Arsimimi, është e drejtë themelore e njeriut. Ajo është jetike për rritjen ekonomike afatgjatë dhe thelbësore për përmbushjen e objektivit Nr. 4 të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili lidhet me arsimin gjithëpërfshirës cilësor.

“Sot, ne jemi krenarë që shumë prej reformave të guximshme të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të cilat UNICEF-i dhe partnerët i kanë mbështetur në zhvillimin e kurikulës, përmirësimin e cilësisë së parashkollorit, trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve, po funksionojnë”  deklaroi Dr. Ezio Gianni Murzi, përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri.

Rezultatet arsimore të fëmijëve në Shqipëri, janë jo vetëm një arsye e mirë për tu ndier krenarë sot, por na sigurojnë se shoqëria në të ardhmen do të ketë avantazhe ekonomike, të cilat do të sigurohen, nëpërmjet një fuqie punëtore me të arsimuar dhe me aftësitë e nevojshme për të konkurruar në ekonominë e shekullit XXI.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat