Mbërrijnë në QSUT dy punonjësit e plagosur të OSHEE

Shqipëria

Mbërrijnë në QSUT dy punonjësit e plagosur të OSHEE

Nga: ATSH Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 00:41
Permbytje

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë mbërritur për një trajtim më të specializuar dy punonjësit e OSHEE të plagosur si pasojë e shpërthimit të ndodhur në nënstacionin e Shkodrës.

Sipas mjekëve, gjendja e njërit prej të plagosurve, E.H. 30 vjeç, është e rëndë, për shkak të shkallës së lartë të djegies, në masën 60%.

Ndërsa punonjësi tjetër i OSHEE, me inicialet A.A, i djegur në masën 25%, është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht të dy punonjësit po i nënshtrohen terapisë intensive dhe mjekët po ndjekin nga afër gjendjen e tyre.

Ndërsa ministria e Mbrojtjes njofton se Forcat e Armatosura kanë evakuuar 10 banorët në Valias dhe 3 zjarrfikësit qe kishin shkuar në ndihmë të tyre, por mbetën të bllokuar në mjet. 10 personat e evakuuar po dërgohen për strehim në komandën e forcës tokësore në Zall Herr.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke marrë shkas nga situata e krijuar për shkak të reshjeve, zhvilloi një mbledhje urgjente me institucionet në varësi, për marrjen e masave të nevojshme.

Në mbledhje, ku të pranishëm ishin drejtues të Drejtorisë Burgjeve dhe stafi i përcaktuar në ministri për Emergjencën, u diskutua plani i masave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në lidhje me rritjen e sigurisë në këto institucione dhe kalimin në gatishmëri të punonjësve të tyre. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat