Shqipëria e bllokuar nga përmbytjet

Shqipëria

Shqipëria e bllokuar nga përmbytjet

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 08:04
Përmbytjet në Shqipëri

Reshjet e dendura të shiut të cilat kanë vijuar edhe gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, kanë rënduar situatën, duke shkaktuar përmbytje të shumta në të gjithë Shqipërinë.

Gjendja nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet vijon të jetë shumë e rënduar.

Në Fushë Krujë, Kurbin, Vorë, Marikaj dhe Mamurras ajo paraqitet më e vështirë.

Aktualisht po vijon puna për evakuimin e personave të rrezikuar.

Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, punonjësit e OSHEE, ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Prefekturat, Bashkitë, Ministrat, Prefektët, etj., janë në krye të detyrës në aktivitet të plotë për përballimin e situatës së vështirë.

U bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin kërkesat e bëra publike më parë në lidhje me sigurinë e tyre dhe bashkëpunimin me autoritetet. Ruajtja e jetës është prioriteti numër një i momentit.

U bëhet thirrje publike edhe disa kryetarëve të bashkive, sidomos atyre që janë të prekura rëndë nga situata si Vora dhe Kamza, që të paraqiten urgjentisht në krye të detyrës dhe të marrin përsipër përgjegjësitë që u ngarkon ligji në mbrojtje të jetës së qytetarëve.

U bëhet thirrje edhe gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të bashkëpunojnë me shtabet e emergjencave për të ofruar mundësi akomodimi për personat e evakuuar.

Lidhur me rrugët është e bllokuar autostrada Durrës-Tiranë, ndërsa kalohet me vështirësi Tiranë-Durrës, i bllokuar është edhe aksi Durrës-Kavajë, Gjirokastër-Lunxhëri dhe në disa rrugë dytësore. Të bllokuara nga bora Rruga Bogë-Theth në Qafën e Thorës. Rrëshqitje dheu në rrugën Tiranë-Ndroq. Prezencë uji në aksin kombëtar Mjedë-Shkodër.

Ndërkohë pa energji elektrike janë mbi 20 mijë persona, për shkak se kanë dalë jashtë funksionit mbi 60 fidera. Për shkak të motit të keq janë ndërprerë edhe fluturimet nga aeroporti “Nënë Tereza”. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat