Nuk janë shirat dhe moti. Ja e vërteta e hidhur e përmbytjeve

Shqipëria

Nuk janë shirat dhe moti. Ja e vërteta e hidhur e përmbytjeve

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 13:48
Përmbytjet në Shqipëri

Përmbytjet do të rikthehen sa here që të ketë reshje normale pasi mbi 65 për qind e rezervuarëve në vend u ka mbaruar cikli. Ekspertët e ujit pranë qeverisë e vlerësojnë tejet të rëndë gjendjen në qindra rezervuarët, teksa shpresat për rehabilitimin e tyre shuhen për shkak të fondeve të mëdha që kërkohen në dispozicion.

Nga vlerësimet e bëra për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente si përsa i takon sigurisë së digave ashtu edhe volumit të disponueshëm të ujit në rezervuarë.

Në 27% të tyre ka dëmtime në trupin e digës, 29% dëmtime të shkarkuesit katastrofik, 30% dëmtime të ujëlëshuesit, 14% dëmtime njëkohësisht të trupit të digës dhe shkarkuesit katastrofik/ujëlëshuesit. Vlerësimet janë bërë nga këshilli i Kombëtar i Ujit në një relacion të posaçëm për parlamentin në kuadër të miratimit të një strategjie të re për Ujitjen dhe Kullimin.

Ministria e Bujqësie llogarit që në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%. Kjo për faktin se cikli i jetëgjatësisë së tyre është në përfundim dhe kupat e rezervuarëve janë mbushur me aluvione.

Drama që po krijojnë rezervuarët u shpërfaq dy herë në harkun e një viti, kur hapja e portave të shkarkimit të rezervuarëve pranë autostradës Tiranë-Durrës kanë krijuar milionë euro dëme në bizneset pranë autostradës, për cilat askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

Nga ana tjetër riparimi i infrastrukturës mbrojtëse nga përmbytjet kërkon investime shumë të mëdha, që janë përtej mundësive të buxhetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat