Sëmundja të zhyt në varfëri; BB: Spitalet e ilaçet varfëruan 126 mijë shqiptarë

Shqipëria

Sëmundja të zhyt në varfëri; BB: Spitalet e ilaçet varfëruan 126 mijë shqiptarë

Më: 1 dhjetor 2017 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Banka Botërore deklaron se pagesat për spitale dhe shpenzimet për blerjen e ilaçeve kanë zhytur në varfëri 126 mijë shqiptarë ose 4.5 për qind të gjithë popullsisë. Shifrat tronditëse janë bërë publike në një raport mbi gjendjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, shpenzimet shëndetësore në Shqipëri varfërojnë më shumë njerëz se në çdo vend tjetër të Europës, përfshirë dhe ekonomitë e ngjashme në Ballkan.

Në Kosovë, pjesa e popullsisë që ka rënë në varfëri nga shpenzimet mjekësore është vetëm 2.4 për qind, ndërsa në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë shifra është nën 1.5 për qind.

Por pse shëndetësia varfëron kaq shumë njerëz në Shqipëri? Arsyeja sipas bankës botërore është se qeveria ja ka ngarkuar qytetarëve gjysmën e barrës së shpenzimeve për kurim dhe ilaçe.

Shqipëria shpenzon rreth 650 milionë euro në vit për sistemin shëndetësor. Në fushatën elektorale të vitit 2013, partia Socialiste premtoi shëndetësi falas, duke u zotuar se e gjitha kjo kosto do të mbulohej nga buxheti i shtetit përmes taksimit të përgjithshëm. Por sipas Bankës Botërore, në vitin 2014, që janë dhe të dhënat më të fundit të disponueshme, qeveria mbuloi vetëm gjysmën e faturës, ndërsa gjysmën tjetër ose rreth 325 milionë euro, qytetarët u detyruan ta paguanin nga xhepi.

Kjo është shifra më e lartë në rajon. Në Malin e Zi, qytetarët paguajnë vetëm 42.8 për qind të faturës së shëndetësisë nga xhepi i tyre, ndërsa në vendet e tjera të rajonit shifra është edhe më e ulët duke variuar nga 28 në 37 për qind, pasi pjesën tjetër e mbulon qeveria.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat