6 masat për të shmangur përmbytjet, reagon edhe PAA

Shqipëria

6 masat për të shmangur përmbytjet, reagon edhe PAA

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 15:14
Partia Agrare Ambientaliste

Partia Agrare Ambientaliste, që prej mëngjesit të 1 dhjetorit, po ndjek nga afër situatën e krijuar nga moti i keq, dhe gjithë ekipi i PAA-së është pranë qytetarëve për çdo problem të mundshëm.

Partia Agrare Ambientaliste nuk mund të mos sjellë në kujtesën e opinionit publik tryezën e rrumbullakët që zhvilloi jo më larg se 13 dhjetori i vitit të shkuar me temën “Ujrat, pasuria kombëtare që duhet menaxhuar”.

Partia Agrare Ambientaliste zhvilloi atë tryezë me ekspertë të hidroteknikës dhe bujqësisë në lidhje me përmbytjet dhe erozionin në vendin tonë. Në atë takim ekspertët ngritën një sërë problemesh. Ku më thelbësoret sipas tyre veç mungesës së investimeve, është edhe përjashtimi i ekspertëve në këtë fushë.

Të pranishmit në atë tryezë u shprehen se në 25 vjet jo vetëm që nuk është bërë asgjë, por qeveritë njëra pas tjetrës janë treguar armik i territorit duke e përmbytur herë nga mungesa e investimeve, herë nga vjedhja e fondeve e herë nga bërja e punëve shkencore nga njerëz që nuk kanë lidhje me këtë fushë.

Fenomeni i përmbytjeve është një tregues i qartë i mungesës së mendimit teknik në menaxhimin e ujërave.

Për zgjidhjen afatgjatë të këtij fenomeni, i cili nuk është vetëm natyror por pasojë e neglizhencës ndaj këtij sektori, Partia Agrare Ambientaliste propozon:

1. Pyllëzimin intensiv;

2. Ngritjen e pritave malore;

3. Ndalimi i rreptë i shfrytëzimit të inerteve të lumenjëve;

4. Pastrim periodik, jo nëpërmjet fushatave, i të gjithë rrjetit kullues;

5.Kontroll rigoroz të të gjitha argjinaturave të lumenjëve;

6. Ngritja e një “Byroje” ose “Enti” i cili duhet të mbulojë të gjithë gamën e problemeve që kemi në fushën e bonifikimeve; monitorimin, regjistrimin e statistikave; studimin e projekteve; sigurinë e argjinaturave për mbrojtejn nga përmbytjet; përmirësimin e teknologjisë së ujitjes në dobi të fermerëve shqiptarë; dhe mbi të gjitha krijimin e një grupi ekspertësh permanent që propozon strategji dhe teknika në këtë fushë kaq të ndjeshme. 

Partia Agrare Ambientaliste dhe ekspertët e saj janë të gatshëm të diskutojnë për një strategji të mirëfilltë për menaxhimin e ujrave për t’i dhënë zgjidhje permanente dhe jo sporadike, sikurse është bërë në 27 vite, problemit të përmbytjeve dhe erozionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat