Diplomacia dixhitale, Shqipëria ngjitet në vendin e 31-të

Shqipëria

Diplomacia dixhitale, Shqipëria ngjitet në vendin e 31-të

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 11:24
Lista me vendet

Shqipëria renditet në vendin e 31-të në vlerësimin që “Digital Diplomacy Live” iu bën 209 diplomacive botërore për vitin 2017, duke përmirësuar kështu renditjen e saj me 12 vende nga viti i kaluar, kur mbante vendin e 43-të.

Në një botë dixhitale, ku më shumë se 200 Ministri të Punëve të Jashtme dhe më shumë se 400 udhëheqës të vendeve të ndryshme kanë llogaritë e tyre në mediet sociale, të cilat i përdorin për të diktuar politikën e jashtme të vendeve të tyre, si dhe ku shumë vende po krijojnë aplikacione për qytetarët e tyre që jetojnë ose udhëtojnë jashtë vendit, nuk mungon Shqipëria.

Për t’u veçuar janë llogaritë në rrjetet sociale të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ministrit Ditmir Bushati, por edhe aplikacioni i posaçëm “E-Konsullata”, i cili ofron informacion konsullor për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vende të ndryshme.

Metodologjia e renditjes së sivjetshme “DDR17” bazohet në një qasje të re të diplomacisë, duke identifikuar 5 nevoja kryesore të diplomacisë dixhitale, të përshkruara si nivele hierarkike brenda një piramide.

Ato përfaqësojnë gjithashtu fazat e progresit, nga fillestar në shkallën e avancuar të praktikës së diplomacisë dixhitale, e janë: prania në mediet sociale, përshtatshmëria, përditësimi, angazhimi dhe diplomacia dixhitale.

Këto nivele të performancës së diplomacisë dixhitale shqyrtohen mbi bazën e treguesve të tjerë cilësorë, si kreativiteti dhe autenticiteti, transparenca, menaxhimi i përmbajtjes, siguria, hapja, ndikimi, lloji i audiencës, profesionalizmi dhe fushatat shkatërruese/inovative.

Në studim janë marrë 209 vende pjesëmarrëse në total. Ndërkohë, edhe Kosova ka pësuar përmirësim, por vetëm me 3 vende, duke u ngjitur nga ai i 71-të në të 68-in, në renditjen që kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca. Në dhjetëshen e parë janë edhe Rusia, Vatikani, Gjermania, Japonia, Kanadaja, Izraeli dhe Holanda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat